Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, është deklaruar pas regjistrimit si deputet.
Ai para gazetarëve tha se deri tani nuk kanë asnjë marrëveshje politike me askënd.
“Rikthimi i Nismës në parlament, ka qenë zë i munguar. Siguroj qytetarët dhe votuesit tanë që ne do të punojmë fort në shërbim të vendit. Do të kemi iniciativa ligjore, do të tregojmë shkallë të lartë të pjekurisë sonë politike, do të mundohemi që parlamenti të freskohet me ide. E gatshme për interesa nacionale, dimë të dallojmë dëshirat, ambiciet personale me aktivitetin politik, me marrëveshjet, me takimet, me nevojat e përbashkëta. Në fund të fundit ky është funksioni i parlamentit”, tha ai.
“Jemi dëshmitarë që gjërat kanë ndryshuar, bota po ndryshon, rajoni ka ndryshuar. Kosovën e presin shumë sfida, më shumë se kurrë Kosova ka nevojë për dinamizim të politikës së jashtme, të bashkëpunimit me miqtë. Presim që qeveria të krijohet sipas afateve kushtetuese, do të luajmë rolin tonë në krijimin e institucioneve. Këtu përfundon detyra jonë kushtetuese”.
“Nisma s’ka marrëveshje me askënd deri më sot. Nisma do të punojë fort në krijimin e këtyre institucioneve, Kosova mos të shkojë në një krizë parlamentare. Do të çohemi nesër. Nesër i keni sigurisht zhvillimet, dhe do të keni përgjigje. Nuk e di çka ka ndodhur, unë nuk kam pranuar asnjë shkresë nga askush. Kushdo që ofrohet ne jemi të gatshëm të bisedojmë”, tha Limaj.