Kryetari i Nisma-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj e ka quajtur lajm të keq shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se kjo tregon papjekurinë politike, raporton EO.
“Besoj është një lajm i keq për Kosovën. Tash e 9 muaj Kosova me këto forca politike kanë dëshmuar që nuk kanë kapacitet dhe pjekuri të mjaftueshme politike për të ndërtuar marrëveshje, për të përmbushur vullnetin e qytetarëve, për t’u ulur e për të biseduar e për t’i dhënë vendit institucione. Fatkeqësisht kjo që ndodhi sot, me shpërndarjen e Kuvendit tregon paaftësi, pa pjekuri dhe panjohuri se si ndërtohet shteti dhe institucionet. Dhe shpresoj që qytetarët ashtu siç nuk e kanë pritur që do të përfundojë vota e tyre, në zgjedhjet e ardhshme do t’iu kërkojnë llogari përgjegjësve kryesor të moskonsitutimit të institucioneve të Kosovës.
Ai madje tha se Nisma do të jetë pjesë e zgjedhjeve dhe se aty ku është sic tha Nisma do të jetë kryeministri.
“Nisma shkon drejtë zgjedhjeve, qoftë përmes ndonjë koalicioni që ka alternativë serioze. Qoftë me të ose pa të, Nisma do të jetë në zgjedhje. Ne preferojmë me një grup politik që shohim që përnime drejtuesi i tij i është nis garës për të fituar. Dhe nëse shohim këtë alternativë dhe vizion dhe Nisma është e gatshme të jap kontributin. Siç kemi thënë, aty ku është Nisma do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës”, theksoi ai.






