4.9 C
New York
Wednesday, November 12, 2025

Buy now

Limaj: Osmani u bë pjesë e zvarritjes, duhej të shpallte zgjedhjet

- Advertisement -

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pasur mundësinë për ta nxjerrë vendin nga kriza duke mos e zvarritur procesin zgjedhor.

Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Limaj ka theksuar se të gjitha partitë politike në takimin me të janë deklaruar qartë se nuk kanë vullnet politik për të krijuar një shumicë të dytë parlamentare.

“Para se të vije te mandatari i dytë, ne kemi qenë te presidentja, sic e kërkon kushtetuta, pra është konsultuar me të gjitha partitë politike. Presidentes, të gjitha partitë politike shqiptare, shumica edhe disa të minoriteteve, janë deklaruar qartë se mungon vullneti politik për të krijuar një shumicë të dytë. Nuk ka votë për një shumicë të dytë, nuk ka pretendim për një mandatar tjetër, dhe gjithçka që i mbetet asaj është të mos e zvarrisë procesin dhe të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, sepse këta 120 deputetë nuk kanë më aftësi për të ndërtuar një shumicë parlamentare. Ne kemi pritur që presidentja, në përputhje me kompetencat e saj, ta nxjerrë vendin sa më shpejt nga kjo situatë. Shmangia nga zgjedhjet duhet të tentohet vetëm aty ku ka shpresë. Kur ka një deklarim të qartë nga grupet politike që nuk kanë vullnet për të ndërtuar shumicë parlamentare, presidentja duhet të luajë rolin tjetër dhe të mos e shtyjë datën e zgjedhjeve”, ka thënë Limaj.

Ai tutje ka theksuar se presidentja ka rrëshqitur nga kompetencat e saj dhe është bërë pjesë e zvarritjes.

Sipas tij, gjatë takimit me Osmanin, ka parë disponimin e saj për një mandatim të dytë.

“Te partitë politike nuk ka pasur gjasa pas dështimit të parë. Ne nuk kemi parë që ka pasur ndonjë marrëveshje të re mes forcave politike, ose ndonjë deklarim publik të deputetëve se do të ndryshojnë mendje dhe do të ishin të gatshëm të ndërtojnë një shumicë të re. Këto janë ato kritere mbizotëruese që i ka vendosur Gjykata Kushtetuese, që presidentja i sheh dhe mbi bazën e tyre vendos. Unë e kam parë disponimin e presidentes se do të shkojë drejt një mandatimi. Presidentja, në një mënyrë apo tjetër, ka rrëshqitur nga kompetencat e saj dhe është bërë pjesë e zvarritjes. Duke parë këtë situatë, edhe unë, nëse do të isha forca e dytë ose të kisha më shumë deputetë, do të dërgoja një mandatar”, ka shtuar Limaj.

Kur u pyet se pse i intereson Osmani ta zvarrisë procesin zgjedhor, Limaj tha se nuk e di motivin, por sipas tij, zgjedhjet mund të ishin shpallur menjëherë pas takimit me partitë politike.

“Nuk e di nëse ka motive presidentja për të zvarritur. Mendoj që duhet ta pyesni vetë atë. Por ka zvarritje, sepse zgjedhjet mund të shpalleshin në ditën e dytë, menjëherë pas takimit tonë, pasi presidentja e ka pasur në transcript vullnetin dhe qëndrimin politik të forcave politike. Ju e dini që kam qenë kundër zgjedhjeve, por ka ardhur një situatë ku, fatkeqësisht, zgjedhjet kanë mbetur zgjidhja”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme

Të fundit