Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për njoftimin e fundit të lëshuar nga Gjykata Kushtetuese, ku është theksuar se Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar dhe se duhet të zgjidhet një nënkryetar nga komuniteti serb.
Në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, ai ka theksuar se Nisma Socialdemokrate do të vazhdojë të respektojë çdo aktvendim të Gjykatës Kushtetuese.
“Duhet të shohim aktgjykimin e plotë për të parë se çfarë ka nxjerrë Gjykata Kushtetuese dhe çfarë udhëzimesh ka dhënë. A do të shkojë në përsëritje votimi i pakos së nënkryetarëve për komunitete?”.
“Apo do të vazhdohet me një? Është ende e panjohur derisa ta lexojmë aktgjykimin, dhe pastaj, mbi bazën e atij aktgjykimi, do të marrim vendime. Ajo çka mund t’iu them unë që tani, është se, si gjithmonë, ne vazhdojmë t’i ndjekim aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Limaj.
I njëjti pohoi se tri partitë më të mëdha politike të vendit – Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – janë fajtore për ngërçin në të cilin ndodhet vendi që nga zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
“Nisma Socialdemokrate, nëse duhet të ndjehet mirë për diçka, është se për nëntë muaj me radhë ka paralajmëruar nevojën për një marrëveshje politike. Edhe pse jemi një grup i vogël politik, kemi tentuar, kemi bërë angazhim, kemi dhënë qëndrime dhe sugjerime që në asnjë variant të mos shkohet drejt bllokimit të institucioneve.”
“Ajo çfarë mund të them është se tri partitë kryesore janë përgjegjëse për atë që ka ndodhur deri tani dhe për atë që po ndodh. Ato e kanë përgjegjësinë për zhbllokimin e situatës, për ndërtimin e institucioneve dhe për gjetjen e rrugëve për marrëveshje politike. Fuqia politike e Nismës është kjo që është – me tre deputetë – dhe ne duhet të luajmë një rol konstruktiv në gjithë këtë proces. Jemi të vetëdijshëm që fuqia jonë është e vogël”, tha Limaj.
Ai shtoi se Nisma Socialdemokrate ka bërë aq sa ka pasur mundësi, siç u shpreh ai, duke qenë një grup i vogël parlamentar.