Kryetari i Nismës Socialdemokrate ka thënë se gabimi më i madh politik që ka bërë kjo parti, është koalicioni me PDK-në e AAK-në vitin 2017 i njohur si PAN.
Ai ka thënë se në këtë koalicion pranoi të futet brenda një orë, për siç ka thënë ai për t’u bërë Ramush Haradinaj kryeministër.
Limaj në emisionin “Këndi i Debatit” ka thënë se ky qenë një nga gabimet më të mëdha që i kanë kushtuar me koste kësaj partie që nuk ka arritur të fuqizohet si parti politike.
Sipas tij, nga koalicion pësoi edhe AAK e PDK.
“Janë bërë disa gabime politike, vendimmarrja politike. Unë personalisht me fatin e Nismës kam bërë disa vendime të cilat kanë qenë gabime politike dhe me vetëdije – kosto i kam bërë këto. Në vitin 2017 kam pranuar që të futem brenda orës në një koalicion pas një opozite që ish bërë nga 2014 – 2017 për hir me bë Ramush Haradinajn kryeministër. Ky ka qenë vendimi më i gabuar i Nismës, në kuptimin partiak, sepse kemi paguar kosto. Pra, e kemi bërë me vetëdije, kur është bërë PAN-i. Dhe unë mendoj që ky u kanë gabimi kryesor. Nuk jam duke thënë që mbështetja e z.Haradinaj ka qenë gabim në asnjë mënyrë. Vendimi me shkua në një parti që ishte në pushtet ishte gabim, sepse u ndërtua brenda natës dhe z.Haradiaj shkoi brenda natës bërë kompromis dhe u bë kryeministër. Dhe kjo ka qenë gabim. I kushtoi tri partive”, u shpreh Limaj.
Ai ka thënë se kjo parti që nga viti 2014 ishte në trend rritje, por pas vitit 2017 u përballën me vështirësi.
“Nëse e shihini 2014-2017 ne kemi qenë duke u rritur, nga ky moment është një moment politik ku juve ju kushton dhe vështirë e keni me dal prej saj. Ne jetojmë në një ambient shumë të ashpër dhe nuk është lehtë”, ka thënë Limaj.
Si arsye që kjo parti nuk ka arritur të fuqizohet që mos të ketë dilema që të bëhet pjesë e Kuvendit, Limaj ka përmendur edhe përqindjen e lartë të kalimit të pragut, për të cilin ka thënë se është edhe jo demokratik.






