Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përcjellë një mesazh falënderimi për qytetarët e Kosovës, miqtë dhe përkrahësit e tij, duke vlerësuar mbështetjen e dhënë gjatë procesit zgjedhor dhe angazhimin e përbashkët në këtë rrugëtim politik.
Limaj theksoi se rruga e kaluar nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë e drejtë, duke nënvizuar se përtej çdo rezultati apo shifre, më e rëndësishmja mbetet qëndrimi i drejtë, besimi dhe përkushtimi ndaj vlerave që përfaqëson subjekti i tij politik.
Ai tha se gara është zhvilluar në rrethana të veçanta dhe me një mobilizim të jashtëzakonshëm, ndërsa siguroi se mbështetja e qytetarëve është dëshmi se kjo rrugë ka kuptim dhe vazhdimësi.
Duke folur për vitin e ardhshëm, Limaj u shpreh se Nisma Socialdemokrate do të vazhdojë me punë, organizim dhe përgjegjësi edhe më të madhe, duke u përqendruar në bashkim, pjekuri politike dhe një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës.
“Nuk kemi asnjë arsye të ulim kokën. Çdo votë është amanet dhe çdo përkrahës është forcë”, ka deklaruar Limaj, duke uruar shëndet, paqe dhe mbarësi për qytetarët, si dhe një Vit të Ri me shpresë dhe energji të re.
Në fund të mesazhit, ai ritheksoi se rrugëtimi politik vazhdon dhe se angazhimi i përbashkët për Kosovën do të forcohet edhe më tej.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Kosovës, miq, përkrahës dhe bashkëudhëtarë të kësaj rruge,
Në këtë fundvit, ju falënderoj nga zemra për çdo votë, për çdo mbështetje dhe për çdo rreshtim të ndershëm në këtë rrugë që e bëmë bashkë.
Kjo nuk ka qenë një rrugë e lehtë.
Por ka qenë e drejtë.
Dhe ajo që ka më shumë vlerë se çdo rezultat është fakti se kemi qëndruar drejt, me kokën lart dhe me besim në atë që përfaqësojmë.
Kjo garë u zhvillua në rrethana të veçanta dhe me një mobilizim të jashtëzakonshëm.
Por përtej çdo shifre, ajo që mbetet është mbështetja juaj dhe bindja jonë se kjo rrugë ka kuptim dhe vazhdimësi.
Teksa mbyllim një vit të vështirë dhe hyjmë në një vit të ri, dua ta them qartë: viti që vjen na pret me punë, me organizim dhe me përgjegjësi edhe më të madhe.
Na pret me përkushtim dhe me ecje të sigurt drejt qëllimeve tona.
Ne mbetemi të bindur se Kosova ecën përpara vetëm me bashkim, me pjekuri dhe me një vizion të qartë për të ardhmen.
Prandaj, nuk kemi asnjë arsye të ulim kokën.
Çdo votë është amanet.
Çdo përkrahës është forcë.
Kjo është një etapë që na obligon të jemi edhe më të përgatitur.
Ajo që kemi ndërtuar deri këtu nuk ndalet, por forcohet.
Ju uroj shëndet, paqe dhe mbarësi në familjet tuaja.
Ju uroj një Vit të Ri me shpresë, energji të re dhe besim në Kosovën tonë.
Ne vazhdojmë. Bashkë.
Me vendosmëri!
Gëzuar Vitin e Ri!
F.L






