Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, mori pjesë në protestën e sotme të organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, që moton e kishte “Drejtësi për padrejtësitë në Hagë”.
Ndërkaq, përmes një postimi në Facebook, ai tha se “Kosova kërkon drejtësi dhe nuk kërkojnë asgjë më shumë se të vërtetën dhe barazi para ligjit”.
“Fatkeqësisht, Parlamenti nuk e ka kryer detyrën e vet për monitorimin e zbatimit të ligjit për Gjykatën Speciale. Para pesë vitesh, u kam propozuar grupeve parlamentare që Parlamenti i Kosovës të shfrytëzojë mundësinë për të kontaktuar institute të pavarura dhe të specializuara, të cilat ofrojnë monitorim profesional”.
“Këto institute, të njohura në fushën e drejtësisë ndërkombëtare, kanë përvojë të jashtëzakonshme në raste të ngjashme që janë monitoruar më parë në Hagë. Një institut i monitoruar nga Parlamenti do ta kishte rritur besueshmërinë dhe transparencën e punës së Gjykatës dhe do të ndihmonte në parandalimin e shkeljeve të të drejtave të të akuzuarve atje”, deklaroi Limaj.
Si atëherë, ashtu edhe sot, ish-komandant Çeliku tha se beson se kjo ka qenë dhe mbetet rruga e vetme përmes së cilës një shtet serioz angazhohet me përgjegjësi në mbrojtjen e të drejtave të veta, të cilat rrezikojnë të përmbyten.
“Liri për çlirimtarët – Lavdi UÇK-së”, shkroi kreu i Nismës, Fatmir Limaj.