Edon Zhegrova pritej të largohej nga Lille, që nga fundi i sezonit të kaluar, pasi vetë lojtari kishte shprehur dëshirën për një transferim.
Megjithatë, ndryshe nga vera e kaluar kur klubi nuk e lejoi largimin e tij, këtë verë qëndrimi i tij në ekip ka marrë një kthesë të papritur.
Gjatë sezonit të kaluar, Zhegrova u përball me probleme fizike dhe nuk ka luajtur që nga dhjetori për shkak të një dëmtimi.
Napoli kishte treguar interes më herët, por nuk ka ndjekur më me vendosmëri pistën për transferimin e tij. Ndërkohë, Marseille ishte futur si kandidat i ri për shërbimet e kosovarit.
Për shkak se nuk ka pasur asnjë ofertë konkrete dhe të pranueshme, Zhegrova është riintegruar në ekipin e parë të Lille, pas një periudhe kur stërvitej me skuadrën rezervë.
L’Équipe raportoi se që nga mëngjesi i së hënës ai ka filluar të stërvitet me ekipin e parë, në të cilin ishte pjesë edhe sezonin e shkuar.
Presidenti i Lille, Olivier Letang, deklaroi para disa ditësh se klubi e kishte parashikuar largimin e Zhegrovës këtë verë, por “kushtet nuk ishin të harmonizuara” për të finalizuar një transferim.
Kjo lë të hapur mundësinë që sulmuesi kosovar të qëndrojë edhe një sezon që do të jetë i fundit në kontratën e tij me klubin.
Kur kanë mbetur edhe tri javë deri në mbyllje të afatit kalimtar në top kampionatet kryesore, Zhegrova do të mbetet pjesë e Lille për sezonin 2025/26, nëse ndonjë ofertë e madhe nuk ndryshon mendjen e palëve.