Më shumë se 70 ligjvënës izraelitë kanë miratuar një rezolutë më 23 korrik, përmes së cilës i bëhet thirrje Qeverisë të vendosë sovranitet mbi Bregun e pushtuar Perëndimor, edhe pse ky veprim simbolik nuk ndikon në statusin ligjor të territorit palestinez.
Votimi i rezolutës në Parlamentin izraelit, që nuk ka fuqi detyruese, u mbështet nga anëtarët e koalicionit të djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, si dhe nga disa deputetë opozitarë.
Ata thanë se aneksimi i Bregut Perëndimor “do ta forcojë shtetin e Izraelit, sigurinë e tij dhe do të parandalojë çdo vënie në dyshim të së drejtës themelore të popullit hebre për paqe dhe siguri në atdheun e tyre”.
“Sovraniteti në Xhudea dhe Samaria” – emërtimi që Izraeli përdor për Bregun Perëndimor, të cilin e ka pushtuar që nga viti 1967 – ishte “një pjesë përbërëse e realizimit të sionizmit dhe vizionit kombëtar të popullit hebre”, thuhet në tekstin e mocionit.