Kosova e miratoi më 7 maj të vitit 2013 ligjin që ndalonte pirjen e duhanit në të gjitha ambientet e mbyllura, vendim ky që synonte mbrojtjen e shëndetit publik. Por që nga ajo ditë, qytetarët, bizneset dhe institucionet kanë pranuar hapur se asnjëherë ky vendim s’është zbatuar plotësisht, në disa raste fare.
Për këtë arsye, në maj të vitit 2023, Qeveria shpalli themelimin e Këshillit Ndërministror për Kontrollin e Duhanit. Kryeministri Albin Kurti, në atë mbledhje, deklaroi se ligji kishte për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik dhe se inspektimet do të ushtronin tolerancë zero.
Megjithatë, edhe pas kësaj deklarate politike, situata në terren ka mbetur kryesisht e pandryshuar. Ligji është ndryshuar dy herë – në vitin 2022 dhe në vitin 2023.
Ligji ndalon duhanin në hapësira publike, në vendet e punës, në transportin publik dhe në çdo hapësirë të përbashkët të ndërtesave shumëkatëshe. Megjithatë, pothuajse çdo raport mediatik ndër vite ka treguar pamje të kundërta, me lokale të mbyllura ku duhani konsumohet pa asnjë pengesë.
Lidhur me këtë çështje, Albanian Post ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Inspektoratin Sanitar dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Deri në publikimin e këtij artikulli, MSH dhe Inspektorati Sanitar nuk kanë kthyer përgjigje.
Nga AUV, zyrtari për informim Lamir Thaçi u shpreh se “kontrollet mbikëqyrëse për zbatimin e ligjit të duhanit janë kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë, gjegjësisht Inspektoratit Sanitar”, pavarësisht që kur u formua Këshilli Ndërministror për Kontrollin e Duhanit, lokalet inspektoheshin nga AUV-i.
Në anën tjetër, Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomeve konfirmon se ky ligj asnjëherë deri tani nuk është zbatuar plotësisht.
“Zbatim të plotë nuk mund të them se ka, ka shkelje, por ka edhe mangësi në ligje. Edhe vetë bizneset kanë kërkuar ndryshime në shumë pika të ligjit, gjë që do të thotë se ligji është mjaft i dëmshëm edhe për to. Përndryshe, gjendja lë shumë për të dëshiruar”, sqaroi ai për AP.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve të drejtësisë, Asdren Bytyqi, deklaron për Albanian Post se problemi nuk qëndron te ligji, por te mënyra se si është strukturuar zbatimi.
“Arsyet kryesore administrative dhe ligjore pse nuk po zbatohet Ligji për Kontrollin e Duhanit kanë të bëjnë me ndarjen e përgjegjësive. Ligji parasheh që një numër i madh inspektoratash kanë kompetenca për zbatim – nga ai sanitar, te ai shëndetësor, i tregut të punës, i arsimit, deri te Policia dhe Agjencia Kundër Korrupsionit. Në teori kjo është në rregull, por praktikisht krijon konfuzion nuk dihet cili institucion udhëheq dhe mban përgjegjësinë politike”, sqaron ai.
Sipas Bytyqit, komuna është hallka tjetër e dobët e zinxhirit.
“Komunat kanë nivel shumë të ulët të angazhimit në inspektime dhe mbikëqyrje sanitare. Nuk kemi problem me ligjin – ai është i harmonizuar me standardet evropiane, por zbatimi pothuajse mungon në terren”.
Ai thotë se problematikë tjetër janë edhe gjobat e ulëta që shqiptohen ndaj bizneseve.
“Një problematikë tjetër është fakti që kemi pak inspektime dhe gjobitje shumë të ulëta; rrjedhimisht, ekzekutimi i vendimeve dhe zbatimi i këtij ligji mbetet shumë i cekët. Kjo ndodh kryesisht sepse inspektorati nuk kryen mjaftueshëm inspektime dhe nuk lëshon vendime-dënime as për subjektet afariste, as për individët. Përveç kësaj, procedurat janë të gjata, gjë që e zbeh edhe më shumë efektin parandalues të gjobave dhe dënimeve”.
Përveç mungesës së kapaciteteve administrative, Bytyqi përmend edhe një faktor tjetër kyç vetëdijen shoqërore.
“Sot ende ekziston tolerancë dhe një lloj amnistie kulturore ndaj pirjes së duhanit. Për më tepër, figura publike që e praktikojnë e normalizojnë këtë sjellje, duke ndikuar që qytetarët të mos e perceptojnë pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura si shkelje të rëndë”.
Më tutje ai potencoi se problemi nuk qëndron te ligji apo te gjobat, pasi të dyja janë të qarta, të përcaktuara mirë dhe të harmonizuara me standardet e Bashkimit Evropian.
“Gjobat janë të strukturuara saktë dhe ligji është shumë i avancuar. Mirëpo sfida kryesore është politike dhe administrative. Nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për zbatim, mungon vullneti për shqiptim të gjobave, dhe nuk ekziston një strukturë e qartë e organizuar e inspektorateve që t’i japë prioritet zbatimit në terren”.
Në Kosovë nuk ka ndonjë akt unik juridik që përcakton numrin dhe llojet e inspektorateve. Në mungesë të këtij akti, inspektoratet janë themeluar me akte të veçanta dhe sipas nevojës.
Po ashtu, për këto çështje ekzistojnë lista të kontrollit, që janë dokumenti bazë mbi të cilin zhvillohet inspektimi dhe përcakton fushëveprimin e tij, por në këtë listë mungon lista e Inspektoratit Sanitar.
Në paketat e cigareve duhet të ketë njoftime shëndetësore me tekst paralajmërimet duhet të zënë 32% të pjesës së përparme dhe 45% të pjesës së pasme.
Përpos moszbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, në Kosovë edhe taksa e veçantë e vendosur për këtë produkt është ndër më të ulëtat në Evropë. Për 1 mijë njësi duhet paguar taksë shtesë 49 euro, ndërsa minimumi në shtetet e Bashkimit Evropian është 131 euro.
Konsumi i duhanit është mjaft i lartë sipas të dhënave të doganave, kosovarët importojnë rreth 3 mijë tonë duhan në vit.






