Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka mirëpritur vendimin e e Avokatit të Popullit për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën.
“Avokati i Popullit ka bërë mirë që e ka sfiduar kushtetutshmërinë e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme sa i përket kuotës gjinore prej 30% në listat e partive politike.” – tha Cakolli.
Megjithatë, Cakolli e ka konsideruar të pamjaftueshëm veprimin, duke shtuar se Avokati i Popullit duhet “t’a sfidojë edhe integritetin e kandidatëve, përkatësisht mundësimin e kandidimit edhe për ata që mund të jenë dënuar me kusht apo me gjobë për vepra penale.”
“Por, kjo është nuk mjafton! Kuota s’është çështja e vetme, e mbase as më problematikja, e ligjit të ri për zgjedhjet. Ligji ka edhe plot ndryshime tjera në kundërshtim me frymën kushtetuese. Ndër to, Avokati i Popullit duhet t’a sfidojë edhe integritetin e kandidatëve, përkatësisht mundësimin e kandidimit edhe për ata që mund të jenë dënuar me kusht apo me gjobë për vepra penale. Kompromiset e verës së kaluar mes partive politike (pozitë e opozitë) nuk duhet të kalojnë si pa të keq. Neve na duhen institucione me integritet, e jo kandidatë potencialisht të dënuar, që zgjedhen si deputetë.” – tha ai.