Kështu ka vlerësuar ish-diplomati kosovar kur është pyetur për “lëkundjen” e raporteve midis Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), posaçërisht sa i përket mospajtimeve mbi vendimit për ndalimin e dinarit serb në territorin kosovar. Ukshini ka shtuar se lidershipin aktual i mungon përvoja e duhur në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Mendoj se është në interesin strategjik të Beogradit që Kosova të fajësohet. Nuk duhet të biem në një kurth të tillë dhe të jemi të matur dhe diplomatikë. Beogradi për 25 vjet ka lobuar dhe investuar në përmbysjen e narrativës për të kaluarën dhe ka bërë çdo përpjekje për të ndërtuar një simetri sikur të gjithë janë viktima dhe fajtorë për të kaluarën kriminale në rajon”.
“Mendoj se lidershipit aktual i ka munguar përvoja e duhur në marrëdhëniet ndërkombëtare. Shumë herë nuk është kuptuar që qëndrimi i dikurshëm opozitar nuk mund të zbatohet edhe në ekzekutiv, sepse, kur je në pushtet keni detyrime ndërkombëtare dhe kërkohet më shumë realizëm dhe pragmatizëm”, ka shtuar ndër të tjera ish-ambasadori kosovar në Tiranë.
Edhe pse disa nga veprimet e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, në veriun e territorit të banuar me shumicë serbe dhe në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve kanë qenë legjitime, sipas ish-ambasadorit kosovar, partnerët ndërkombëtarë kanë pasur rezerva për mënyrën e realizimit të tyre, të cilat në disa raste janë shoqëruar edhe me populizëm.
“Nga ana tjetër, opozita në përgjithësi e ka mbështetur qeverinë Kurti në çështjen e dialogut dhe hapat e ndërmarrë për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri. Por ka një qasje paksa të ndryshme sepse mendon se veprimet e qeverisë kundër elementëve ekstremistë dhe kontrabandës së kontrolluar nga Beogradi duhet të kryhen në koordinim me partnerët ndërkombëtarë”.
Mospërfillja e kërkesës së SHBA-së për pezullim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në vend ka lëkundur raportet ndërmjet Kosovës dhe administratës amerikane, derisa kryeministri kosovar u kritikua ashpër nga zyrtarë amerikanë e evropianë pikërisht për shkak të degjenerimit të bashkëveprimit diplomatik.