Në deklaratën e publikuar nga kabineti i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, fillimisht thuhet:
“Ne, Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentja e Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane, Giorgia Meloni, së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë/Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, u takuan me Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Këshillit Evropian më 26 tetor 2023”.
Liderët e shteteve më të fuqishme në Evropë, kanë mirëpritur angazhimin e dy palëve. Derisa deklaruan se “e marrin parasysh gatishmërinë e Kosovës e Serbisë për ta zbatuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.
“Mirëpresim angazhimin e dy palëve në diskutimet e djeshme në Bruksel. I marrim parasysh komentet e dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë për Statutin Evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar. Draft statuti që ne paraqitëm dhe miratojmë plotësisht përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuar nga palët”.
Të dyja palët, sipas tyre, duhet të përmbyshin detyrimet e tyre hap pas hapi, dhe duhet “të bëjnë diçka, për të marrë diçka”.
“Prandaj, ne nënvizojmë edhe një herë pritshmërinë tonë që palët të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja palët që të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht në mënyrë hap pas hapi bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa” – thuhet tutje.
Kosovës, i është kërkuar mes tjerash që të fillojë procedurat për themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbisë i kërkohet njohja de-facto ndaj Kosovës.
“Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë siç është përshkruar në draft Statut dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto. Formalitetet, duke përfshirë edhe miratimin, nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje.
Tani presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord shpejt për detajet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mungesë të progresit në normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme.” – thuhet në fund.