Udhëheqësit evropianë kanë paralajmëruar kundër ndryshimit me forcë të kufijve të Ukrainës, dy ditë para se një samit SHBA-Rusi mbi Ukrainën të zhvillohet në Alaskë.
Në një deklaratë, udhëheqësit evropianë thanë se “populli i Ukrainës duhet të ketë lirinë për të vendosur të ardhmen e tij”, shkruan BBC.
Sipas deklaratës, parimet e “integritetit territorial” duhet të respektohen dhe “kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë”.
Deklarata u nënshkrua nga 26 nga 27 udhëheqës. Midis nënshkruesve mungonte udhëheqësi i Hungarisë, Viktor Orban, i cili ka ruajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe është përpjekur vazhdimisht të bllokojë mbështetjen e Bashkimit Evropian për Ukrainën.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka këmbëngulur se çdo marrëveshje paqeje do të përfshijë “një shkëmbim territoresh” dhe mund ta shohë Rusinë duke marrë të gjithë rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore dhe duke mbajtur Krimenë. Në këmbim, ajo do të heqë dorë nga rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia, të cilat i ka të pushtuara pjesërisht.