23.1 C
New York
Thursday, April 24, 2025

Buy now

Lëvizja për bllokimin e shtetit

- Advertisement -

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Dështimi i Kuvendit të Kosovës për t’u konstituar për të pestën herë, ka filluar të shndërrohet në normë politike. Lëvizja Vetëvendosje, është duke insistuar që të votohet emri i Albulena Haxhiut si krye parlamentare, duke u bazuar në të drejtën e saj kushtetuese ,si fituese e zgjedhjeve. Ndërkohë, partitë “opozitare” janë kundër këtij nominimi me arsyetimin se e njëjta ka qenë një figurë ekstremisht polarizuese politike.

Kështu, sipas gjykimit të tyre, ajo nuk është e denjë politikisht për atë pozitë. Asnjëra prej subjekteve tjera parlamentare nuk janë duke e kontestuar të drejtën e partisë fituese të zgjedhjeve për atë post, por vetëm janë duke kërkuar një emër tjetër të pranueshëm për to. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dëshmuar asnjë gatishmëri për kompromis politik. Ky paralizim i institucionit kryesor përfaqësues po shndërrohet edhe në bllokim të shtetit. Mirëpo, ky pozicion mund të jetë njëri nga skenarët idealë të partisë fituese të zgjedhjeve. Ajo asnjëherë nuk e ka konsideruar shtetin e Kosovës si qëllim në vetvete. Por vetëm si mjet në shërbim të qëllimeve politike të Vetëvendosjes. Pra pjesëmarrja në isntitucioent shtetërore është konsideruar vetëm si shtim i mjeteve tjera në funksion të organizatës. Është në natyrën e lëvizjeve të tilla politike, siç ka pohuar, Hannah Arendt në librin e saj “Origjinat e Totalitarizmit”, që të angazhohen në nënshtrimin e shtetit ndaj interesave politike dhe ideologjike të tyre.

Sipas kësaj teoriciene politike, për dallim nga partitë, që e konsideronin shtetin mbi këto organizime të pjesshme, sepse ato e përfaqësonin vetëm një segment të shoqërisë kurse shteti tërësinë, lëvizjet këtë fundit e konsideronin vetëm si një makinë burokratike në funksion të qëllimeve të tyre. Sepse ato janë tërësia. Mbi shtetin. Dhe marrin rol pan-përfaqësues. Kështu, kurdo dhe ku të munden ato tentojnë ta zëvendësojnë rolin e shtetit me atë të Lëvizjes. Prandaj, edhe interesat shtetërore sipas tyre janë sekondare në raport me atë të Lëvizjes. Sepse shteti mbron interesa, kurse Lëvizja të vërtetën dhe të drejtën. Kështu, kurdo që ky i fundit nuk është në kongruencë me të parat, atëherë bllokimi, paralizimi dhe suspendimi i tij duhet të jetë qëllim strategjik i Lëvizjes. Sepse në këtë mënyrë krijohet terren për operimin e Lëvizjes, si përfaqësuese autentike e popullit dhe lideri si instanca supreme e kësaj hierarkie politike. Në këtë kontekst, ky bllokim i shtetit sot shihet si shprehje ideale i konceptit të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas saj, tashmë populli është i përfaqësuar politikisht nëpërmjet këtij eniteti. Partitë tjera janë vetëm fraksione private kundër interesit të përgjithshëm. Ngase populli është kategori homogjene. Dhe në krye të tij qëndron Albin Kurti, si lider i Lëvizjes dhe kryeministër në detyrë.

Prandaj, vazhdimi i bllokimit të shtetit, nuk është asgjë tjetër, pos shprehje eksplicite dhe realizim konceptual i kësaj skeme mentale politike. Mbetet të shihet mënyra se si do t’i përgjigjen partitë “opozitare” kësaj strategjie. Deri më tani ato janë pozicionuar kundër subjektit fitues të zgjedhjeve. Mirëpo, kanë dështuar ta ndërtojnë një alternative politike për ta zhbllokuar shtetin dhe kufizuar veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje. Gjendja aktuale është në favor të kësaj të fundit. Kurse duke i qëndruar besnik vetëm kësaj qasje, ato vazhdojnë të mbesin të kapërthyera brenda gjeratores vicioze të Lëvizjes Vetëvendosje

Të ngjashme

Të fundit