Lëvizja për Bashkim ka shprehur mbështetjen e tyre për protestën e veteranëve e cila pritet të zhvillohet nesër.
Rreth orës 10:00, para Kuvendit të Kosovës do të protestohet siç shprehen ata kundër diskriminimit që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve.
Lëvizja për Bashkim është shprehur e bindur se këndvështrimi i “mbrapshtë se kategoritë e dala nga lufta janë barrë për shoqërinë është antinjerëzor e antikombëtar”.
“LB e bindur në drejtësinë e kësaj çështjeje, të ngritur nga OVL e UÇK-së, ka vendosur që ta mbështes protestën dhe do të marr pjesë aktive në të. Me projektligjin e Qeverisë së Kosovës, i cili do të shqyrtohet të hënën në Kuvendin e Kosovës, parashihet që të rrëzohet ligji aktual që e lidh pensionin e veteranit me pagën minimale, (edhe ashtu ka qenë pension shumë i vogël, 170 euro), pra të mos ketë rritje për këtë kategori ashtu siç parasheh projektligji për pagën minimale”, thuhet në deklaratën e LB-së.
Lëvizja për Bashkim ka ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në këtë protestë, duke bërë thirrje që të mos lejohet që kategoritë më meritore për lirinë që po e gëzojmë të shndërrohen në kategori sociale.