Home Lajme Lëvizja Fol reagon për KPM-në: Veprime të motivuara politike, iniciativë e rrezikshme dhe kundërligjshme

Lëvizja Fol reagon për KPM-në: Veprime të motivuara politike, iniciativë e rrezikshme dhe kundërligjshme

0
Lëvizja Fol reagon për KPM-në: Veprime të motivuara politike, iniciativë e rrezikshme dhe kundërligjshme

Lëvizja Fol përmes një reagimi, ka dënuar ashpër veprimet e fundit që kanë ndodhur në Komisionin e Pavarur të Mediave nga anëtarët e bordit të këtij institucioni.

Në këtë reagim, Lëvizja Fol ka thënë se kjo është një iniciativë e rrezikshme dhe e kundërligjshme për ndryshimin e strukturave udhëheqëse të KPM-së, para përfundimit të mandateve ligjore.

Gjatë mbledhjes së sotme të KPM-së, anëtarët e këtij institucioni miratuan në mënyrë të kundërligjshme ndryshimin e Rregullores së Punës, duke mundësuar zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarit të KPM-së brenda një muaji para përfundimit të mandateve të tyre ligjore. Ky akt u ndërmor pa kaluar në procesin e konsultimeve publike, duke shkelur kështu nenin 8 të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, i cili kërkon përfshirjen qytetare në ndryshimet e akteve nënligjore.”

“Pas ndryshimit të kësaj rregulloreje, anëtarët e KPM-së ndryshuan strukturat aktuale udhëheqëse të KPM-së, në kundërshtim me procedurat ligjore, duke krijuar një precedent të rrezikshëm që synon kapjen politike të institucioneve të pavarura, duke cenuar parimet themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.” – thuhet në reagim.

Tutje, Lëvizja Fol është shprehur se Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedh me kohë anëtarët e Bordit të KPM-së para fillimit të fushatës zgjedhore, duke e lënë këtë bord me përbërje jo të plotë dhe duke e penguar funksionimin normal të këtij institucioni në këtë periudhë kritike.

Vonesat e tilla kanë ndikuar drejtpërdrejtë në funksionimin efikas të KPM-së, dhe rrjedhimisht është vështirësuar mbikëqyrja e mediave dhe ruajtja e një klime të drejtë dhe të paanshme mediatike gjatë kësaj periudhe të rëndësishme politike.”

“KPM-ja, si organ i pavarur, ka për mision të sigurojë një sistem të drejtë, të hapur dhe të barabartë për rregullimin e shërbimeve mediale, duke garantuar informimin e saktë dhe të paanshëm të qytetarëve. Përpjekjet për të instrumentalizuar këtë institucion në shërbim të interesave politike dëmtojnë rëndë pavarësinë e tij dhe e vendosin atë nën kontroll të drejtpërdrejtë politik, duke e rrezikuar rolin e tij mbikëqyrës dhe garantues të transparencës.” – thuhet ndër të tjera në reagim.

Lëvizja Fol ka cilësuar se këto veprime përfaqësojnë një përpjekje të qartë për të “kapur” një nga shtyllat kryesore të një demokracie funksionale – mediat e lira dhe të pavarura.

Çdo përpjekje për të politizuar KPM-në është një sulm jo vetëm ndaj këtij institucioni, por edhe ndaj të drejtës së qytetarëve për t’u informuar lirshëm dhe në mënyrë të paanshme. Kjo cenon lirinë e shprehjes dhe krijon një atmosferë frike dhe autocensure në sektorin medial, duke dëmtuar seriozisht besimin e publikut në integritetin e mediave dhe në proceset demokratike.”

“Ruajtja e lirisë së mediave është një nga shtyllat kryesore të demokracisë, dhe çdo përpjekje për ta dobësuar atë duhet të trajtohet si një kërcënim serioz ndaj vetë të ardhmes demokratike të vendit.” – thuhet në reagimin e Lëvizjes Fol.

Exit mobile version