Bayer Leverkuseni e ka bërë një përforcim të rëndësishëm për sezonin e ardhshëm.
“Farmaceutikët” e kanë gjetur pasardhësin e Florian Wirtz, ndërsa bëhet fjalë për Malik Tillman, i cili deri tash ishte pjesë e PSV Eindhoven.
Lajmin e ka bërë të ditur gazetari sportiv dhe njëherësh eksperti i transfereve Fabrizio Romano, sipas të së cilit, dy klubet e kanë arritur marrëveshjen e vlefshme mes 35 e 40 milionë euro, përfshirë edhe bonuset, përcjell “Gazeta Express”.
Mesfushori ofanziv amerikan do ta nënshkruajë një kontratë afatgjate me nënkampionët e Gjermanisë, të gatshëm të invesojnë për ta vazhduar rrugëtimin e suksesshëm të nisur nga Xabi Alonso.
Natyrisht, ky transferim nuk ishte i thjeshtë: negociatat kishin nisur në ditët e kaluar shkaku i një klauzole jo fort mirë të sqaruar, e që lidhet me të drejtën e rikthimit të tij nga ana e Bayern Munichut, klub në të cilin ishte rritur Tillman.
Leverkuseni u mundua fillimisht ta ulte shumën në 35 milionë, por PSV-ja ishte e vendosur, duke e vlerësuar lojtarin afro 40 milionë euro.
Vendimtare ishte gatishmëria e Bayernit për ta pranuar planin kompleksiv që t’ia japë dritën e gjelbër përfundimisht këtij transferimi.
Në këtë moment Tillman është i angazhuar me Kombëtaren amerikane në Gold Cup dhe për këtë arsye vizitat mjekësore do të kryhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Leverkuseni, nga ana e tij, e sheh këtë “operacion” të përfunduar, me të gjitha palët – lojtari, PSV-ja e Bayerni, të kënaqura me marrëveshjen e arritur.
Një kualitet i shtuar i mesfushës së trajnerit të ri, Erik ten Hag, ndërsa Granit Xhaka, nëse qëndron përfundimisht në Bayer, do ta ketë një shok të repartit mjaft të fortë.