Bayer Leverkusen ka vendosur të mos humbasë asnjë ndeshje këtë sezon, edhe nëse duhet të realizojë në ekstremet e minutave shtesë të ndeshjes.
Kështu ka ndodhur sërish ndaj Borussias së Dortmundit, e cila ishte në avantazh 1 me 0 deri në minutën e 98-ë, kur Stanisic shënoi me kokë nga një goditje këndi dhe barazoi shifrat, duke marrë një pikë për “aspirinat”.
Pjesa e parë e ndeshjes reflektoi një lojë tepër të qetë dhe të matur nga dy ekipet, ku rasti i vetëm erdhi në minutën e 42-ë nga Sabitzer, i cili po të mos ishte për një pritje të jashtëzakonshme nga portieri i Leverkusenit, Hradecky, do të kishte shënuar.
Pjesa e dytë i pa ekipet më të çliruara dhe më në sulm, me Leverkusenin, i cili vendosi të tërhiqej disi dhe Dortmundin nga ana tjetër, që po kërkonte të shënon.
Kjo edhe për faktin se Leverkuseni i ka bërë llogaritë, duke u shpallur kampione e Bundesligës javën e shkuar, me Dortmundin në vend të pestë, në luftë të hapur për Champions League me Leipzig dhe Stutgart.
Pas disa përpjekjeve, ishte Fullkrug, i cili realizoi me një gjuajtje në ajër në minutën e 81-ë, pas një pasimi nga Sabitzer.
Minutat e mbetura, Leverkusi do të kërkonte barazimin dhe disa çaste të tensionuara mes Schlotterbeck dhe Frimpong bënë që loja të shtyhej gjatë në shtesë, me tetë minuta.
Kur po mendohej se kuqezinjtë do të shihnin humbjen e parë në sezonin e tyre perfekt deri tani, erdhi edhe goli i Stanisic në minutën e fundit të shtesës, pas një goditje këndi, ku mbrojtësi realizoi me kokë.
Kështu, Leverkusen vijon të tregojë hegjemoninë e këtij sezoni dhe të mos shohë asnjë ndeshje nga ku nuk merr pikë në kampionat. Një rekord më vete ky, i paarritur ndonjëherë nga një ekip tjetër.