Për herën e tretë, Lëvizjes Vetëvendosje nuk iu pranua propozimi për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, andaj konstituimi i Kuvendit dështoi edhe në tentativën e 11-të. Por, për ta gjetur një zgjidhje, Albin Kurti i dërgoi letër për koalicion qeverisës Lumir Abdixhikut të LDK-së. Nga kjo parti përmendën nevojën për kërkim falje nga Kurti për gjuhën që kishte përdorur në fushatë.
Analisti, Ylli Hoxha deklaroi se letra e tretë e dërguar nga ish-kryeministri, Albin Kurti ndaj kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK] është hap i vogël ndaj një “kantrahure” të madhe të krijuar në bllokadën politike të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Një hap në konstatimin se ka nevojë për koalicion. Tash, a rezulton në pjesën e dytë, me zbutjen ndaj pozicionit ndaj PDK-së. Ky është hap i vogël ndaj një kantrahure të madhe të krijuar”, deklaroi Hoxha.
Ai tha se letra e dërguar e sotit është komunikim publik por edhe një përgjigje ndaj PDK-së se nuk janë të interesuar për koalicion paszgjedhor.
“Konsideroj hap të mirë këtë letër. Prej 3 muaj pas zgjedhjeve, ish kryeministri Kurti e vlerëson koalicionin prej njëri prej dy subjekteve të domosdoshme. Kjo letër e dëshmon këtë. Ky është komunikim publik. Hap përpara në zhbllokimin nga pozicioni që nuk më duhet askush për asgjë, e unë mendoj për 12 herë Albulena Haxhiut. Kjo letër e ka një mesazh brenda, atë PDK-së. Ku Kurti thotë se nuk janë të interesuar për koalicion me PDK-në. Për Kurtin dhe ne, koalicioni me LDK bukur i vështirë”., shtoi ai.
Hoxha tha se ka pasur të kaluar problematike të koalicionit Qeveria Kurti 1 dhe mënyra e shthurjes. Ai shtoi në “Debat Plus” se nuk parasheh përspektive të këtij komunikimi i cili pritet të prodhojë koalicion. Hoxha tutje tha se detyra kryesore është konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ku ky i fundit duhet të “marrë vendime serioze krahasim me ngjarje të mëdha të vendit”.
Ai tha se “formalisht” Kurti nuk është mandatar formalisht, pavarësisht që ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ka abuzim të jashtëzakonshëm me Kushtetutën, i cili është i patolerueshëm, ku ti voton 11 herë për Kuvendin, 8 herë për kandidaten e 3 herë me një farë eskivimi të punës së Kuvendit. U bë abuzim i madh”, vijoi Hoxha.