Kohë pas kohe pozicionon ushtrinë serbe pranë kufirit me Kosovën.
Madje, haptazi presidenti serb ka bërë edhe thirrje për luftë.
Pikërisht për këtë Profesori i Qendrës për Gjeopolitikë në Universitetin e Kembrixhit, Timothy Less për TEVE1 vlerëson se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor është e brishtë.
Sipas tij Serbia po pret që të krijohen rrethana te favorshme për të vepruar ushtarakisht në pjesën veriore të Kosovës.
“Taktikisht, Serbia po përpiqet të frikësojë Kosovën dhe të forcojë pozitën e saj në negociatat e udhëhequra nga BE. Por strategjikisht, grumbullimi i ushtrisë së saj në kufi është një shenjë se Serbia parashikon një zgjidhje ushtarake të statusit të veriut, nëse krijohen rrethanat për këtë gjë. Politikanët në Beograd kanë folur hapur për këto çështje. Megjithatë Serbia e di shumë mirë rrezikun e ndëshkimit në formën e sanksioneve, pezullimin e procesit të integrimit, humbjen e investimeve, e kështu me radhë. Prandaj, Serbia do ta shqyrtojë opsionin të trajnojë dhe armatosë aktorët lokalë, të cilët Beogradi i mbështet fshehurazi në një mënyrë ashtu si Rusia mbështeti rebelët në Donbas pas vitit 2014. Pra, në këtë drejtim, po, mendoj se në Kosovë do të ketë më shumë incidente si shkëmbimi i zjarrit në Banjskë, ose të paktën një rrezik për këtë për aq kohë sa Serbia dhe serbët në veri besojnë se të mbeturit pjesë e Kosovës, nën sovranitetin formal të Prishtinës, nuk është një opsion i zbatueshëm në afatgjatë”, thotë ai.
Less, thotë se po ndodhin ndryshime të mëdha gjeopolitike siç është rritja e Kinës si fuqi e madhe botërore.
Kurse në anën tjetër profesori britanik, vlerëson se ka rënie të fuqisë së Perëndimit prandaj sipas tij ka edhe një mobilizim më madh të aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s.
“Bota tani po hyn në një periudhë të re në të cilën Perëndimi po dobësohet, perspektiva e anëtarësimit në BE po zbehet dhe Rusia dhe Kina po fitojnë forcë dhe po shfrytëzojnë dobësinë e Perëndimit për të rishikuar rendin ndërkombëtar. Me fjalë të tjera, faktorët që më parë i shtrëngonin serbët po zbehen dhe serbët tani, si rrjedhojë, janë më të sigurt se do të arrijnë ti përmbushin synimet e tyre që i kanë pasur gjatë viteve 90-ta. E kam përshkruar atë që unë e shoh si rrezik në rritje të destabilitetit në Kosovë, që është pasojë e këtyre faktorëve, veçanërisht ngritja e Kinës, së cilës Serbia i është afruar shumë muajt e fundit. Në Bosnje, serbët po bëjnë një shtytje për një pavarësi më të madhe, për arsye të ngjashme – dobësia amerikane dhe evropiane dhe mbështetja në rritje e Rusisë”, shtoi Less.
Ditë më parë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i kërkoi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të mos e pozicionoj ushtrinë pranë kufirit me Kosovën.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin e tij për prezencën e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.