Lothar Matthaus ka vlerësuar maksimalisht paraqitjet e Harry Kane te Bayern Munich, duke e cilësuar sulmuesin anglez si lojtari i sezonit të Bundesligës deri në këtë fazë. Legjenda e futbollit gjerman ka theksuar se ndikimi i Kane në ekip ka qenë edhe më i madh nga sa pritej në momentin e transferimit të tij nga Tottenham.
“Për mua, lojtari i sezonit të Bundesligës deri më tani është padyshim Harry Kane. Ai erdhi si golashënues për të mbushur rolin e Robert Lewandowski-t, por anglezi bën shumë më tepër për ekipin”, ka deklaruar Matthaus.
Sipas tij, Kane nuk është vetëm një makinë golash, por edhe një lider në fushë, që kontribuon në ndërtimin e lojës, asiston shokët e skuadrës dhe i jep stabilitet ofensivës së Bayern.
Ish-kapiteni i Gjermanisë ka shtuar se pritshmëritë ndaj Kane ishin jashtëzakonisht të larta që në fillim, por sulmuesi anglez ka arritur t’i tejkalojë ato.
Performancat e tij konstante, qetësia para portës dhe përshtatja e shpejtë me futbollin gjerman kanë bërë që ai të kthehet menjëherë në pikë reference për kampionët e Bundesligës.
Matthaus beson gjithashtu se Kane sapo ka nisur rrugëtimin e tij drejt fitimit të trofeve madhorë.
“Ai sapo ka filluar koleksionin e tij të titujve”, u shpreh ai, duke nënvizuar se Bayern Munich mbetet ambienti ideal për një lojtar të nivelit të Kane, i cili për vite me radhë ka shkëlqyer individualisht, por pa arritur sukseset e mëdha në nivel ekipor.
Në fund, Matthäus ka theksuar dëshirën e tifozëve dhe të klubit që Kane të qëndrojë për një kohë të gjatë në Mynih. Sipas tij, impakti i anglezit është i tillë që Bayern shpreson ta ndërtojë projektin e së ardhmes rreth tij, duke e parë jo vetëm si një golashënues elitar, por si një figurë kyçe për ambiciet e klubit në Gjermani dhe në Europë.






