Legjenda e futbollit brazilian, Roberto Carlos, ka mohuar kategorikisht zërat për përkeqësim të gjendjes së tij shëndetësore, pas raportimeve se ishte shtruar në spital. Ish-mbrojtësi i Real Madridit ka sqaruar se bëhej fjalë për një procedurë mjekësore të planifikuar dhe jo për ndonjë rast emergjent.
52-vjeçari reagoi përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram, ku përgënjeshtroi lajmet për një sulm në zemër.
“Dua të sqaroj informacionet e fundit që po qarkullojnë. Kohët e fundit iu nënshtrova një procedure mjekësore parandaluese, të planifikuar më parë me ekipin tim mjekësor. Procedura ishte e suksesshme dhe ndihem mirë. Nuk kam pësuar infarkt,” shkroi Roberto Carlos.
Ai shtoi se procesi i rikuperimit po ecën pozitivisht dhe shpreson të rikthehet së shpejti në aktivitetet e tij profesionale. Ish-futbollisti falënderoi gjithashtu stafin mjekësor dhe tifozët për mbështetjen, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye për shqetësim.
Roberto Carlos konsiderohet një nga mbrojtësit e majtë më të mëdhenj në historinë e futbollit. Me Real Madridin, ai zhvilloi 527 ndeshje, fitoi katër tituj kampion në Spanjë dhe triumfoi tri herë në Ligën e Kampionëve. Në vitin 2002, ai u shpall kampion bote me Brazilin. Gjatë karrierës së tij, Carlos ka luajtur gjithashtu për Palmeiras, Inter, Fenerbahçe dhe Corinthians.






