Legjenda angleze e Sunderland, Jermain Defoe, është entuziast për sezonin e ardhshëm dhe beson se “Gjigantët e fjetur” janë gati të befasojnë me rikthimin e tyre në elitën e futbollit anglez.
Defoe, i cili ka shënuar 37 gola në 93 paraqitje për “Macet e Zeza”, e ka ndjekur me vëmendje ‘merkaton’ e verës, ku klubi ka thyer dy herë rekordin e transferimeve për të sjellë Enzo Le Fee dhe Habib Diarra.
“Sunderland është një klub masiv futbolli, ashtu si Leeds, me një histori të madhe dhe tifozë të zjarrtë. Kur gjërat shkojnë mirë atje, atmosfera është e mrekullueshme”, deklaroi Defoe.
Ai tha se është i lumtur që lojtarët e rinj do të kenë mundësinë të provojnë veten në ligën më të fortë në botë.
“Më bën të entuziazmohem për ta. Isha atje këtë javë dhe mund ta ndjesh energjinë pozitive kudo,” shtoi ai.
Një nga afrimet më të bujshme të verës është mesfushori shqiptar i Kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, që sjell eksperiencë të madhe nga Liga Premier pas viteve të suksesshme te Arsenali.
Defoe ka thënë se ka qenë vazhdimisht në kontakt me Xhakën për rikthimin e tij në Ligën Premier.
“Kam folur shpesh me Xhakën, madje më ka pyetur për vendet më të mira ku mund të jetojë dhe gjëra të tilla”.
“Xhaka duket shumë i emocionuar dhe ky është një transferim i madh, ai është një lojtar me përvojë që ka qenë në majë. Ai e di çfarë duhet, ka fituar trofe dhe është një lider si brenda ashtu edhe jashtë fushës”.
“Fakti që kemi arritur ta marrim atë është i jashtëzakonshëm. Ai sjell kaq shumë brenda dhe jashtë fushës”, deklaroi Defoe.