Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka ishte më i merituar për fitoren e ekipit të tij në udhëtim te Chelsea 2:1 dhe për këtë, mesfushori ka marrë lëvdata të larta nga trajneri Regis Le Bris.
Xhaka, i cili iu bashkua Sunderlandit para fillimit të sezonit për 20 milionë euro, është përshkruar nga Le Bris si “një trajner i dytë në fushë” që vendos standarde për skuadrën dhe udhëzon lojtarët e rinj.
“Është jetike, thelbësore sepse ekuilibri është vërtetë pozitiv dhe Graniti është kapiteni, kështu që ai vendos standardet çdo ditë. Në fushë, ai është një futbollist vërtetë i mirë dhe kënaqet duke drejtuar sjelljen e skuadrës. Ai është shumë i lidhur edhe me djemtë e rinj”, ka thënë Le Bris.
Ndikimi i Xhakës është më se i qartë te Sunderlandi, pasi po dominon në mesfushë, duke e dëshmuar këtë edhe ndaj Chelseat, ku kompletoi ndërhyrje të sakta dhe fitoi pothuajse të gjitha duelet.
Pavarësisht, fitores ndaj Chelseat, trajneri Le Bris tha se synimi kryesor i Sunderlandit mbetet mbijetesa dhe për këtë duhet të arkëtohen 40 pikë.
Megjithtaë, me Xhakën në përbërje dhe si kapiten, atëherë Sunderlandi këtë sezon mund të mos ketë limite.






