Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj miratimit të rezolutës për Srebrenicën në OKB.
LDK-ja tha se ky votim është vulë për krimet e Sërbisë dhe se shprehin përkrahjen e plotë dhe të palëkundur për këtë rezolutë.
LDK-ja theksojë se vlerëson lart përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar – sidomos Gjermanisë dhe Ruandës si propozuese zyrtare të rezolutës.
Postimi i plotë:
Votimi i rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, është një vulë për krimet e Serbisë të kryera në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe në Kosovë. Nga sot, 11 korriku tashmë ndërkombëtarisht kujtohet si ‘’Ditë Ndërkombëtare e Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë’’.
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh përkrahjen e plotë dhe të palëkundur për këtë rezolutë, sepse është një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe përkujtimit të gjenocidit së Srebrenicës si një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit në historinë moderne.
LDK vlerëson lart përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar – sidomos Gjermanisë dhe Ruandës si propozuese zyrtare të rezolutës – për të dënuar dhe përkujtuar këtë akt gjenocidi, dhe rithekson se drejtësia dhe e vërteta janë themelet e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Përkrahja për këtë rezolutë, tregon angazhimin tonë të përbashkët për të mos harruar viktimat e pafajshme dhe për të siguruar që të tilla krime të mos përsëriten kurrë më.