Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje para gazetarëve deklaroi se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat, anipse një gjë e tillë u kërkua nga bashkësia ndërkombëtare. Këtë qëndrim e përkrahu Partia Demokratike, nga AAK refuzojnë të japin një qëndrim të prerë, ndërsa LDK gjatë ditës del me qëndrim zyrtar.
“Në tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik, e kemi shtyrë afatin për një muaj dhe në end që të jetë më 31 tetor është shtyrë më 1 nëntor, në vend se të jetë data 30 shtator, data e fundit është 31 tetori”, tha kryeministri Kurti dje para gazetarëve, duke lënë të nënkuptohet se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat.
Një qëndrim i tillë u përkrah nga Partia Demokratike e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, tha se çdo vendim i qeverisë duhet të koordinohet me SHBA-në.
“Çdo vendim i Qeverisë së Kosovës që duhet ndërmerret në raport me Serbinë, padyshim që është shumë e rëndësishme që të koordinohet me SHBA-në. Mirëpo, mbi të gjitha është më e rëndësishme që ky koordinim të rezultojë me respektimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës. Nuk mund të lejohet në pafundësi shfrytëzimi i targave të tilla dhe besoj që çfarëdo veprimi që ndërmerr Qeveria e Kosovës e që respekton sovranitetin e vendit edhe në atë pjesë të Kosovës, padyshim që ka përkrahjen e PDK-së”, tha Tahiri pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit”, tha Tahiri dje pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Ndërsa, deputetja e AAK-së, Time Kadrija, në një bisedë me Gazetën Express, ka refuzuar të shprehë një qëndrim të prerë lidhur me këtë çështje.
Ajo tha se e kanë mbështetur Kurtin kur e ka vendosë reciprocitetin, mirëpo për situatën e krijuar tashmë, Kadrija vendimin ia lë në dorë kryeministrit.
Mirëpo, Kadrija u ankua në Kurtin se nuk është konsultuar me opozitën për këtë çështje.
“Kur z.Kurti e ka vendosë reciprocitetin ne e kemi përkrah. Mirëpo kjo [shtyrja e afatit për targa] është çështje ekzekutive e qeverisë se çfarë do të vendosë, pra nuk është vendim as i parlamentit as i partive opozitare. Ne në parim e kemi përkrahur reciprocitet tash është në dorën e z. Kurtit që e ka marrë pushtetin ‘krejt dhe drejt’ dhe të përballet me situatat e krijuara. Mirëpo, mirë është mos me shku e me u kthy. Nuk ka rëndësi fare opinioni jonë, se Kurti nuk është konsultu me neve në situatën në të cilën ndodhet.”
Gazeta Express ka kontaktuar edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të parë nëse do ta përkrahin ose jo Kurtin në këtë temë, mirëpo nga kjo parti kanë thënë se “gjatë ditës do të dalin me qëndrim zyrtar”.
Kërkesat e ndërkombëtare për shtyrje të afatit për targat
Kryeministri Kurti kishte paralajmëruar që nga 1 shtatori do të niste zbatimi i reciprocitetit për targat dhe dokumentet e identifikimit, mirëpo një gjë e tillë shkaktoi tensione në veri. Pas ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare, Kosova e Serbia u morën vesh vetëm për dokumentet e identifikimit, ndërsa për afati për targat u shtye për dy muaj – 31 tetor.
Për shtyrjen e afatit të targave kërkesë kanë bërë nga Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka kërkuar nga Qeveria shtyrje 10-mujore.
“Sipas Marrëveshjeve të Dialogut për Lirinë e Lëvizjes nga viti 2011 dhe 2016, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani dhe të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e duhura evropiane. Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për riregjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime. Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj. Kjo shtrirje do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur”, ka thënë Stano.
Kërkesë të njëjtë ka bërë edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Kështu tha i dërguari i posaçëm i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Është vetë Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, që ka kërkuar nga Kosova që ta shtyjë për 10 muaj afatin për konvertimin e targave ilegale të Serbisë në ato të Kosovës”.
Për çështjen e targave është deklaruar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Ai tha se 2 muaj janë pak.
“Duhet të ketë një periudhë të arsyeshme kohore për tranzicion dhe mendoj se dy muaj janë kohë e shkurtër. Po ju jap një shembull nga shteti im. Mua më duhet të ndryshoj lejen e vozitjes dhe kam pasë katër vjet kohë, por ende nuk e kam ndryshuar dhe e di se duhet ta bëj së shpejti. Nuk duhet të ketë një periudhë kaq të gjatë, por duhet të keni periudha tranzicionale administrative, në linjë me standardet europiane dhe do të thosha se dy muaj janë pak”, ka thënë ai në RTV Dukagjini, mbrëmjen e 6 tetorit.
Ndërsa para 5 ditëve, në zyrën e Kurtit kanë qenë edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it, ku është diskutuar për çështjet aktuale të dialogut me theks të veçantë për energjinë dhe për vendimin e Qeverisë për targat.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti s’ka dhënë përgjigje për çështjen e afatit 10 mujor të kërkuar nga Ëashingtoni dhe Brukseli.
“Për sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme për të cilën kryeministri Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatën e 21 tetorit.