28.4 C
New York
Wednesday, August 6, 2025

Buy now

LDK-ja pret vendim të drejtë nga Gjykata Kushtetuese për të shmangur bllokadën institucionale

- Advertisement -

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shprehur besimin e saj të plotë se “Gjykata Kushtetuese do të veprojë në përputhje me mandatin e saj kushtetues dhe të japë një vendim të drejtë lidhur me situatën aktuale të bllokadës institucionale”.

Ky reagim i LDK-së vjen vendimit të presidentes Vjosa Osmani për tërheqjen e kërkesës se adresuar në Gjykatën Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit për shkak të gjyqtarit Radomir Laban, i cili është caktuar gjyqtar raportues.

“Lënda e dorëzuar nga LDK-ja para Gjykatës Kushtetuese ka në thelb një fakt të pakontestueshëm: subjekti politik që ka dalë i pari në zgjedhje nuk e ka zbatuar agjendën e seancës konstituive, duke refuzuar të propozojë kandidat për Kryetar të Kuvendit. Përkundrazi, përmes insistimit të përsëritur – plot 48 herë – është kërkuar votim jashtë rendit të ditës dhe jashtë procedurës kushtetuese, në vend se të propozohej kandidati për Kryetar Kuvendi siç kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare. Kjo sjellje ka prodhuar bllokadë të qëllimshme dhe ka dëshmuar se subjekti në fjalë nuk ka pasur as vullnetin dhe as kapacitetin për të ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë që i takon të parit”, është thënë në reagimin e LDK-së.

Sipas këtij reagimi, LDK-ja e ka bërë të qartë se, në përputhje me vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese dhe me parimet themelore të funksionimit të sistemit kushtetues parlamentar, në rast se subjekti i parë dështon të sigurojë shumicë, e drejta për të propozuar kandidatin duhet t’i takojë shumicës parlamentare.

“Sistemi demokratik funksionon mbi bazën e shumicës dhe përgjegjësisë, jo të bllokadës dhe mungesës së vullnetit politik. Gjykata Kushtetuese ka një rol kyç në garantimin e funksionimit të institucioneve dhe në mbrojtjen e rendit demokratik në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës. LDK-ja pret nga Gjykata Kushtetuese një vendim të drejtë dhe në përputhje me frymën e Kushtetutës – që i hap rrugë shumicës parlamentare të ushtrojë të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit dhe të rikthejë normalitetin institucional. LDK-ja mbetet e përkushtuar për ruajtjen e rendit kushtetues dhe për një qeverisje që reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, është thënë në reagimin e LDK-së.

Të ngjashme

Të fundit