16.3 C
New York
Saturday, October 11, 2025

Buy now

LDK-ja përmbyll fushatën, Abdixhiku: Prishtina do të vazhdojë të jetë me LDK-në

- Advertisement -

Lidhja Demokratike e Kosovës përmbylli fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, raporton EO.

Në tubimin përmbyllës në Prishtinë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Prishtina do të vazhdojë të jetë e kaltër me LDK-në, duke shprehur bindjen se Përparim Rama do të fitojë edhe një mandat tjetër si kryetar i kryeqytetit.

“Prishtina do të vazhdojë të jetë e kaltër. Prishtina do të vazhdojë të jetë me LDK-në. Prishtina do të vazhdojë të jetë me Përparim Ramën; edhe katër. Më duhet të them sonte se fushata që po përmbyllim ishte e jashtëzakonshme. Ishte një udhëtim i paharrueshëm me njerëzit e këtij qyteti, me qytetarët që nuk lodhen, që nuk dorëzohen, që besojnë në punë, në vlera, në vizion. Çdo natë, çdo takim, çdo tubim në Prishtinë ka qenë i përmbushur me plot jetë, me plot energji, me plot mbështetje për atë çfarë përfaqësojmë ne bashkërisht. Si një shtëpi, si një familje, si një Lidhje. Dhe atë çfarë përfaqësojmë, me bindje e krenari, është puna para propagandës, përpjekja para bllokadës, uniteti para ndarjes. Ne jemi Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky qytet është misioni ynë. Do ta bëjmë këtë qytet sepse e duam. Sepse Prishtina duhet, nuk lakmohet. Kemi ecur bashkë në çdo lagje, kemi dëgjuar çdo zë, kemi parë çdo brengë, kemi projektuar çdo shpresë; dhe në secilën prej këtyre dorështrëngimeve, kemi ndier të njëjtën gjë: dashurinë e madhe për Prishtinën dhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në këtë udhëtim kemi parë Prishtinën që punon, Prishtinën që beson, Prishtinën që nuk pranon të kthehet pas. Kemi parë të rinjtë që duan të ndërtojnë jetën e tyre këtu, në qytetin më origjinal e më vibrant në regjion”, tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së e cilësoi fushatën si të ndershme dhe të vërtetë, duke theksuar se qeverisja e deritanishme e LDK-së në Prishtinë ka sjellë zhvillime të rëndësishme në arsim, infrastrukturë dhe urbanizëm.

“Fushata jonë ishte e ndershme. Ishte e vërtetë. Ishte fushata e njerëzve që punojnë, që duan e që besojnë. Sepse në fund, kjo është LDK-ja e vërtetë: një familje e madhe që nuk dorëzohet kurrë. Një familje që nuk rri duarkryq. Një familje që në çdo betejë del me kokën lart, me shpirtin e pastër dhe me besimin se e mira fiton. Dhe sonte, në këtë natë të fundit të fushatës, nga kjo Prishtinë e ndritur, ne nuk po mbyllim një garë – por po hapim një kapitull të ri. Po hapim rrugën e katër viteve të tjera të zhvillimit, të punës dhe të dinjitetit për qytetin tonë. Dhe në këtë vazhdimësi, në vazhdimësinë e këtij rrugëtimi, na qëndron një Kryetar, na qëndron një njeri, që me vizion, përkushtim e punë, i ka prirë Kryeqytetit tonë me plot dinjitet e krenari. Në krye të këtij rrugëtimi na qëndron Përparim Rama; kryetar i tashëm dhe i ardhshëm i Prishtinës. Katër vite më parë, ne i dhamë këtij qyteti një vizion të ri dhe një kryetar ndryshe. Ne sollëm Përparim Ramën – njeriun e arkitekturës, të urbanizmit modern, të përvojës ndërkombëtare, të ideve që shohin përpara. Përparimi nuk erdhi nga politika e fjalëve të thata, ai erdhi nga bota e punës konkrete. Nuk erdhi për pushtet, por për qytet. Nuk erdhi për retorikë, erdhi për vizion. Katër vite më parë, Përparim, ishim vetëm ne të dy. E nisëm një ëndërr, për qytetin që e donim të dy. Sepse sot, Prishtina që u zotuam se do ta duam me plot zemër, flet me vepra. Flet me shkolla që kanë ndryshuar çdo mëngjes të fëmijëve tanë. Flet me mësimin tërëditor që ka lehtësuar çdo nënë, çdo prind, çdo familje të këtij qyteti. Flet me rrugë që lidhen, me unaza që hapen, me sheshe që marrin jetë, me lagje që marrin frymë. Në këto katër vite, qeverisja e LDK-së me Përparim Ramën ka sjellë ndryshimin më të madh në arsim. Projekti i mësimit tërëditor është shembull i qartë i suksesit tonë. Fëmijët e Prishtinës sot mësojnë më shumë, kanë më shumë kujdes, kanë më shumë përgatitje për jetën. Prindërit e Prishtinës sot e dinë se fëmijët e tyre janë në duar të sigurta, në shkolla moderne, me kushte më të mira”, tha Abdixhiku.

Ndërsa, kandidati i LDK-së për kryetar të kryeqytetit, Përparim Rama, në tubimin përmbyllës vurin në dukje mbi 1 mijë projekte, mbi 700 rrugë e 12 shkolla me mësim tërëditor.
Ai tha se sot del para qytetarëve ballëhapur, pasi ka mbajtur fjalën dhe premtimet.

“Sonte, këtu, përballë jush, jam i mbushur me energji, me emocion e dashni që më keni përcjellë këto javë e si para katër vjetësh ndiej peshën e përgjegjësisë, por edhe krenarinë e një rruge të bërë bashkë. Por, kësaj here me më shumë përvojë, vendosmëri dhe rezultate. Sot, vij përpara jush jo me fjalë, por me fakte. Jo me premtime, por me punë e përkushtim.
Katër vite të mbushura me mbi 1000 projekte që kanë prekur çdo lagje, çdo rrugë, çdo familje. Mbi 700 rrugë të ndërtuara e asfaltuara – arteriet e një qyteti që qarkullon e merr frymë”, tha Rama.

Të ngjashme

Të fundit