Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, në një konferencë për media foli lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj ish- drejtorit të KEK-ut Nagip Krasniqit.
Sipas Azemit, vetë instalimi i tij në krye të KEK-ut ka qenë problematik, pasi atë e sjelli partia në pushtet dhe mbrojti.
“Derisa kjo ishte e keqja e parë, fatkeqësia tjetër është se edhe pas arrestimit të Nagip Krasniqit, i madh e i vogël nga partia ne pushtet e nga qeveria, i dolën në mbrojtje atij duke u përpjekur ta shfajësonin. E mbronin dhe e mbrojnë ani pse e dinin se ky person dyshohej e akuzohej për negocimin e një tenderi sekret në vlerë prej 3.4 milionë eurove”, tha Azemi.
Më tej ai foli edhe për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn.
“Kjo dyshe famëkeqe pra kanë qenë në krye të mafisë energjetike. Nagip Krasniqi, duke u siguruar që të blihet energi elektrike madje në kundërshtim me ligjin e duke negociuar tenderë sekret me dosta të tij e të pushtetit, kurse kryemafiozi Martin Berishaj që shpërblehej me miliona euro nga GEN-i me seli në Beograd, duke ndërmjetësuar”, tha Azemi.
“Të dytë, edhe Nagipi njësoj si Martini, kanë qenë në krye të mafisë energjetike, që të dy u morën në mbrojtje nga shoku i tyre Albin Kurti”, përfundoi Azemi.