Kandidati për kryetar të komunës së Junikut nga LVV-ja në zgjedhjet e kaluara, Besart Tofaj, ka kaluar në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Ruzhdi Shehu, që vjen nga LDK-ja.
“Me kënaqësi ju njoftoj se z. Besart Tofaj, Nënkryetar i Komunës së Junikut dhe njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt në qeverisjen tonë lokale, ka vendosur që nga sot t’i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës – Dega në Junik”.
“Z. Tofaj ishte kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar komune në zgjedhjet e kaluara dhe, gjatë katër viteve të bashkëqeverisjes, ka dëshmuar përkushtim, integritet dhe profesionalizëm të lartë në funksionin e tij si Nënkryetar”.
“Aderimi i tij në LDK është dëshmi e qartë e përputhjes së vlerave, vizionit dhe angazhimit të përbashkët për një Junik më të zhvilluar dhe më të drejtë”, ka thënë Shehu në një postim në Facebook.
Kryetari i Komunës, Besartin e konsideron prurje të fuqishme dhe me shumë potencial për LDK-në, dhe thotë se “do të jetë një shtyllë e rëndësishme në ndërtimin e politikave zhvillimore dhe qeverisëse në Komunën tonë”.