Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur një konferencë për media pas raportimeve në mediat sllovene rreth ambasadori të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
LDK ka kërkuar që Berishaj të shkarkohet menjëherë, ndërkohë kanë bërë thirrje që Prokuroria e Shtetit të zhvillojë hetime në detaje për qarkullimin e parave të kompanisë së Martin Berishajt.
Kur e thonë këtë, LDK thotë se duhet hetuar edhe kryeministri Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz.
Konferenca e plotë:
Afera Martin Berishaj – apo Skandali Martingate!
Kjo Qeveri është zhytur në korrupsion që nga dita e parë e saj. Më e keqja, korrupsionit të tyre dhe të njerëzve të tyre më të rëndësishëm nuk po i duket fundi.
Gati secili institucion që udhëhiqet nga njerëzit e tyre është zhytur e fundosur në korrupsion fund-e-krye. Edhe më keq, kjo udhëheqësi jo që nuk po i shkarkon të korruptuarit, por po i mbron me gjithë arsenalin e saj.
Korrupsioni i skajshëm i tyre përveç që ka shkatërruar qelizën e fundit të besimit të qytetarëve në institucionet e Kosovës, ka shkatërruar edhe reputacionin e vet shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.
Rasti i fundit i Ambasadorit Berishaj ka dërguar mesazh të qartë në çdo cep të Botës se kjo Qeveri është e korruptuar deri në palcë dhe lufton ditë e natë, jo kundër korrupsionit dhe të korruptuarve, por krahpërkrah me korrupsionin dhe të korruptuarve. z. Berishaj nuk është një qytetar i thjeshtë dhe nuk është vetëm një Ambasador, ai është ndër themeluesit e partisë në pushtet dhe deri vonë ka qenë anëtarë i kryesisë së kësaj partie, pra njeri i rrethit të ngushtë vendimmarrës të saj.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë z. Martin Berishaj tash e sa muaj sipas medieve sllovene dhe kroate gjendet në qendër të një skandali të madh financiar me përmasa ballkanike.
LDK shpreh shqetësim për raportimin e këtyre medieve për afera milionëshe ku për protagonist kanë jo vetëm Ambasadorin Martin Berishaj por edhe patronin e tij Kryeministrin Albin Kurti.
Siç jeni në dijeni së fundmi gazeta sllovene ka botuar një hulumtim të gjatë, ku hulumtohen lidhjet e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt me kompaninë sllovene GEN-i. Sipas këtij hulumtimi hidhen dyshime se përmes Ambasadorit Martin Berishaj, është financuar fushata elektorale e Albin Kurtit, nga paratë e kompanisë sllovene “GEN”, me filialet e saja në Beograd, Sarajevë e Tiranë.
Pretendimet e tilla z. Berishaj i kishte cilësuar si shpifje dhe kishte paralajmëruar padi. Megjithatë shqetësimin tonë e rrit fakti se dje në medie u raportua se padia e Martin Berishajt ndaj mediumit “Planet TV” dhe gazetarit që raportoi mbi dyshimet për përfshirjen e tij në një aferë financiare, është hedhur poshtë nga Gjykata e Qarkut në Lubjanë, e cila tha se lënda ka pushuar pa efekte juridike.