Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998 – 1999”, të cilën e quajti skandaloze dhe të papranueshme.
Ekspozita mori shumë kritika në lidhje me detajet e ngjarjeve që shënuan masakrat e ndryshme në Kosovë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e cilëson përmbajtjen e ekspozitës së fundit mbi luftën e Kosovës si skandaloze dhe thellësisht të papranueshme. Ajo përfaqëson një devijim serioz nga e vërteta historike dhe një cenim të rëndë të dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
“Lufta e Kosovës nuk është një narrativë e hapur për relativizim, as një fushë eksperimentimi për interpretime që e deformojnë të vërtetën. Ajo është një e vërtetë e dokumentuar, e vulosur me sakrificë njerëzore dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare. Çdo përpjekje për ta shtrembëruar këtë të vërtetë nuk është vetëm e gabuar por edhe e dëmshme për kujtesën kolektive dhe për vetë themelet mbi të cilat qëndron Republika e Kosovës”.
LDK-ja tha se e konsideron edhe më të rëndë që kjo përmbajtje është financuar nga vetë Kuvendi i Kosovës, dhe i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që të merret me rastin.
“Edhe më i rëndë është fakti se një përmbajtje e tillë është financuar dhe promovuar nga institucioni më i lartë i shtetit, nga Kuvendi i Kosovës. Ky nuk është thjesht një gabim në vlerësim; është një dështim serioz institucional. Shteti i Kosovës nuk mund të vendoset në rolin e sponsorizuesit të narrativave që bien ndesh me të vërtetën e luftës së tij dhe me dinjitetin e qytetarëve të vet”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh mbështetjen e plotë për angazhimin e Prokurorisë Speciale dhe pret që ky rast të trajtohet me seriozitet të plotë, paanshmëri dhe vendosmëri, deri në zbardhjen e çdo përgjegjësie të mundshme”.






