Lidhja Demokratike e Kosovë ka bërë të ditur se ka nisur ciklin e prezantimit “Faktet para Propagandës” që i kushtohet punës së Qeverisë së Kosovës.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se në këtë prezantim do të paraqiten fakte zyrtare, të cilat “demantojnë propagandën dhe manipulimin e Qeverisë”.
Njoftimi i plotē:
Lidhja Demokratike e Kosovë është duke ndjekur në vazhdimësi informatat propaganduese të Qeverisë së Kosovës për qytetarët tanë. Ajo, po manipulon duke publikuar shifra dhe përqindje të pavërteta për çështjet të rëndësishme, siç janë investimet kapitale, rritja ekonomike, deficiti tregtar, inflacioni e shumë të tjera.
Lidhja Demokratike e Kosovës, këtë propagandë të qeverisë, në vazhdimësi e kundërshton dhe e sheh si kërcënim për funksionimin e shtetit. Andaj nisur nga kjo, LDK fillon edhe ciklin e prezantimit “Faktet para Propagandës” ku do të prezantohen fakte zyrtare, të cilat demantojnë propagandën dhe manipulimin e Qeverisë mbi këto çështje.
Investimet kapitale të vitit 2023, janë propaganda e fundit për të cilën ka folur Qeveria, duke thënë se janë më të lartat në historinë e Kosovës. Këto deklarata janë të pavërteta. Janë gënjeshtra, sepse përgjatë tre viteve të shkuara, investimet kapitale të nivelit qendror janë në nivelin më të ulët historik. Por, për të marrë merita të pamerituara, Qeveria po gënjen, duke llogaritur investimet e komunave, si të vetat.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në mesatare, gjatë tre viteve, vetëm 11% e buxhetit të shtetit janë investime qendrore. Gjatë pandemisë, në mbyllje totale e krizë botërore, investimet ishin 10%. Sikurse në mbyllje totale, sikurse në këto tre vite.
Për krahasim, mesatarja e investimeve qendrore në dekadën e shkuar ishte 20%. Në vitin 2023, investimet qendrore ishin 348 milionë euro, aq sa ishin dhe në vitin 2017 veçse atëherë Kosova kishte buxhet 1.8 miliardë euro, krahasuar me 2.8 miliardë sa kishte në vitin 2023. Është e rëndësishme që populli i Kosovës të jetë i informuar drejtpërdrejtë dhe të bëjë vlerësime të qarta bazuar në realitetin e të dhënave, jo në propagandën e zbukuruar nga qeveria.
LDK do të vazhdojë të hedh dritë mbi manipulimin dhe propagandën e qeverisë aktuale, duke vënë në pah të dhënat zyrtare dhe që janë lehtë të verifikueshme.