Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj një rasti që përfshin deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, i cili, sipas partisë, ka pasur një sjellje “arrogante dhe kërcënuese” ndaj një aktivisti të LDK-së.
Në reagimin e publikuar nga nënkryetari i LDK-së, Besian Mustafa, thuhet se Sveçla e ka ndaluar dhe fotografuar aktivistin “pa pëlqimin e tij”, gjë që sipas partisë përbën shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sjelljen e papranueshme, arrogante dhe kërcënuese të deputetit Xhelal Sveçla ndaj një aktivisti tonë, i cili po qëndronte qetësisht në trotuar. Përveç tjerash ka ndaluar atë dhe e ka fotografuar pa pëlqimin e tij, veprim ky i ndaluar me ligj dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve,” thuhet në reagim.
Sipas LDK-së, ky veprim tregon “panikun dhe humbjen e kontrollit politik” të atyre që, siç thuhet, “kanë keqpërdorur për vite institucionet e shtetit”.
“Një reagim i tillë, i shoqëruar me tone agresive dhe sjellje denigruese, është shenjë e qartë e panikut dhe humbjes së kontrollit politik të atyre që për vite kanë keqpërdorur institucionet e shtetit, e sot ndjehen të zhveshur nga mbështetja qytetare. Përballë qytetarëve dhe simboleve tona, z. Sveçla ka zgjedhur arrogancën në vend të maturisë, kërcënimin në vend të kulturës demokratike,” thekson LDK-ja.
Gjithashtu, LDK kërkon nga institucionet që të sigurojnë një ambient të qetë dhe të sigurt gjatë procesit zgjedhor.
“I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të sigurojnë një mjedis të qetë, të sigurt dhe dinjitoz për të gjithë qytetarët gjatë këtij procesi zgjedhor. LDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj respektit, kulturës demokratike dhe standardeve që e kanë ndërtuar këtë vend,” thuhet më tej në reagim.





