Objektivat e “operacionit special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë nuk janë më të kufizuara në rajonin e Donbasit, por përfshijnë një numër rajonesh të tjera, tha ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, sipas Reuters.
Lavrov shtoi se qëllimet e Rusisë do të zgjeroheshin edhe më tej nëse Perëndimi do të vazhdonte të furnizonte Ukrainën me armë me rreze të gjatë veprimi. Kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, Presidenti Vladimir Putin mohoi çdo qëllim për të pushtuar territoret ukrainase, duke thënë se qëllimi i tij ishte të çmilitarizonte dhe “denazifikonte” vendin – një deklaratë që është hedhur poshtë nga Kievi.
Pasi u përpoq të merrte në kontroll kryeqytetin Kiev, ministria ruse e mbrojtjes tha më 25 mars se faza e parë e operacionit special kishte përfunduar dhe tani do të fokusohej në “arritjen e qëllimit kryesor, çlirimin e Donbasit”.
Pothuajse katër muaj më vonë, Rusia ka marrë në kontroll Luhanskun, një nga dy rajonet që përbëjnë Donbasin. Megjithatë, forcat e saj tashmë kanë marrë në kontroll rajonet jugore të Zaporizhzhia dhe Kherson, dhe vazhdojnë sulmet me raketa në të gjithë Ukrainën.