Opinione

Lavdi Kurtit për fitoret e Vuçiçit

By GAZETA SCANNER 1

May 30, 2023

Shkruan: Petrit Hajdari

Po përcjell me shumë shqetësim zhvillimet në veri të vendit. Ata që na kërkojnë të jemi me Kurtin “të bashkuar kundër Serbisë”, po na kërkojnë që hatri i Kurtit t’i shqelmojmë interesat e vendit.

Çdo centimetër i Kosovës është i shenjtë, por asnjë centimetër i Kosovës nuk do të çlirohej pa aleatët, dhe nuk mirëmbahet dot pa ta.

Është e habitshme sesi saherë Kurti aventurier bën budallallëqet e tij, Kurti “patriot” i kthen tytat kah opozita dhe kah kritikët e pushtetit, për t’i paraqitur si “shërbyes të Serbisë” e aleatët ndërkombëtarë si “ndërmjetës neutralë”.

As njëra, as tjetra, Kryeministër! Aleatët ndërkombëtarë nuk kanë qenë e nuk janë neutralë ndaj Kosovës. Nëse ata bëhen tash neutralë, ose potencialisht bllokues, kjo është sepse në krye të Qeverisë ka njerëz që s’mirëmbajnë dot as raporte private miqësore, e lëre më raporte strategjike politike.

Kjo është dhimbja jonë, e dhimbja jonë me sa duket, për fat të keq, do të jetë buzëqeshja e bandave dhe e Vuçiçit.