Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, është lavdëruar duke thënë se Qeveria aktuale i ka mbyllur rrugët ilegale të kontrabandës me Serbinë.
“I kemi mbyllur rrugët ilegale të kontrabandës me Serbinë dhe po i hapim rrugët që i bashkojnë shqiptarët e ndarë padrejtësisht”, shkroi Durmishi në Facebook.
Tutje, Durmishi ka potencuar se përurimi i rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapod me një investim prej 2.6 milionë eurosh shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik dhe social të këtyre komuniteteve, duke i dhënë fund izolimit të tyre.
Ndërsa një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se përurimi i rrugës Kërstec-Pakishtë-Zapod, me gjatësi 6.3 kilometra dhe investim prej 2.6 milionë euro, “na përcolli me pritje të ngrohtë dhe me këngë dhe valle”.
“Kjo rrugë është njëra nga tre rrugët pjesë e protokollit të nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në shtator të vitit 2023”, shkroi Kurti në Facebook.
Ai ka shtuar se kjo rrugë lidh fshatrat Pakishtë dhe Zapod të Shqipërisë me Republikën e Kosovës, përkatësisht komunën e Dragashit.
“Dy rrugët tjera janë Rruga Blinishtë – Dobrunë, që tashmë është ndërtuar, dhe rruga Gorozhup – Pogaj që është në ndërtim e sipër”, kreu i Qeverisë.