Federata e Futbollit e Kosovës ka organizuar mbrëmjen madhështore “Laureatët 2025”, një event tradicional përmes të cilit u nderuan dhe u vlerësuan individët, klubet dhe institucionet që kontribuuan në zhvillimin dhe avancimin e futbollit kosovar gjatë vitit 2025.
Kjo ceremoni prestigjioze edhe sivjet mblodhi figurat më të rëndësishme të futbollit vendor dhe mysafirë të shumtë, përfshirë presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe njëherësh zëvendëspresidentin e UEFA-s, Armand Duka, si dhe ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Çmimi më i rëndësishëm i mbrëmjes, “Futbollisti i Vitit 2025” në futbollin kosovar, i takoi sulmuesit të FC Drita, Arb Manaj, të cilit trofeun ia dorëzuan presidenti i FFK-së, Agim Ademi, presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe ministri Hajrulla Çeku. Manaj u vlerësua si më i miri nga votat e gazetarëve sportivë. Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm gjatë gjithë vitit në radhët e skuadrës gjilanase, duke qenë ndër lojtarët më meritorë në rikthimin e titullit kampion në Gjilan, si dhe në suksesin historik të Dritës me kualifikimin në play-off për 1/8 e finales në UEFA Conference League.
Ndërkohë, çmimi “Fadil Vokrri”, që nderon trashëgiminë e një prej figurave më të mëdha të futbollit kosovar, iu nda Amir Rrahmanit, kapitenit të Kombëtares së Kosovës dhe lojtarit të Napolit në Serie A. Rrahmani edhe këtë vit ishte në nivelet më të larta, duke fituar sërish titullin kampion në Itali me Napolin dhe duke qenë lider i padiskutueshëm i Kombëtares. Për shkak të angazhimeve në finalen e Superkupës së Italisë në Riad, ai nuk kishte mundësi të ishte i pranishëm në ceremoni, ndërsa çmimi do t’i dorëzohet personalisht më vonë.
Gjatë fjalimit të tij, presidenti i FFK-së, Agim Ademi foli për arritjet historike të futbollit kosovar në vitin 2025, duke theksuar rolin e gjeneratave që kanë mbajtur gjallë futbollin ndër vite. Ai vlerësoi figurat historike, gjeneratën e artë, si dhe përzgjedhësin Franco Foda, duke shtuar se roli kryesor në ngritjen e furbollit i takon klubeve dhe futbollistëve, që janë baza e federatës.
I pari i futbollit kosovar theksoi se investimet në infrastrukturë po vazhdojnë me intensitet të lartë. Në fund, Ademi theksoi se Kombëtarja e Kosovës është vetëm dy hapa larg realizimit të ëndrrës për kualifikim në Kampionatin Botëror dhe se do të bëhet çmos për t’u arritur kualifikimi në Kupën e Botës.
Ministri në detyrë, Hajrulla Çeku, e cilësoi vitin 2025 si pozitiv për futbollin e Kosovës, duke theksuar se Kombëtarja ka dëshmuar se është konkurruese në Evropë. Ai vlerësoi kualifikimin në play-off për Botëror si një arritje të madhe dhe theksoi rritjen e nivelit të kampionatit vendor, si dhe paraqitjen dinjitoze të FC Dritës në garat evropiane.
Edhe presidenti i FSHF-së dhe zëvendëspresidenti i UEFA-s, Armand Duka, vlerësoi lart zhvillimet në futbollin kosovar në vitet e fundit, duke theksuar se kjo mbrëmje ishte një festë për punën dhe sakrificat e bëra gjatë vitit. Ai përgëzoi rezultatet e Kombëtares së Kosovës nën drejtimin e Franco Fodës dhe garantoi mbështetje të vazhdueshme për futbollin e Kosovës.
Po ashtu, të pranishmëve iu drejtua përmes një video-mesazhi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ndërsa presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, dërgoi një letër përshëndetëse, në të cilën përgëzoi FFK-në për punën, progresin e qëndrueshëm dhe përkushtimin në zhvillimin e futbollit në Kosovë, duke uruar suksese të mëtejme në vitin 2026 dhe fat në ndeshjet e play-off-it drejt Kupës së Botës.
Përveç dy çmimeve kryesore, gjatë mbrëmjes u vlerësuan edhe shumë individë dhe klube që shënuan vitin 2025.
Me sukseset, strategjitë, udhëheqësinë dhe motivimin e tij, Zekirija Ramadani u shpall “Trajneri i Vitit 2025”, pasi e udhëhoqi FC Dritën drejt titullit kampion dhe drejt një paraqitjeje historike në UEFA Conference League.
Për sukseset e arritura, FC Drita u shpall Klubi më i Mirë i Vitit në konkurrencën e meshkujve, ndërsa fitoi edhe çmimin “Fair Play”.
Drita dominoi edhe në përzgjedhjen e 11-shes më të mirë të vitit 2025, e cila u formua në bazë të votave të trajnerëve të AlbiMall Superligës. Formacioni ideal i vitit është:
Faton Maloku (FC Drita), Besnik Krasniqi (FC Drita), Arlind Veliu(FC Malisheva), Egzon Bejtulahi(FC Drita), Bajram Jashanica(FC Ballkani), Albert Dabiqaj(FC Drita), Etnik Brruti (FC Malisheva), Walid Hamidi (FC Ballkani), Arianit Hasani (FC Llapi), Sunday Adetunji (FC Ballkani) dhe Arb Manaj (FC Drita).
Në konkurrencën e vajzave, çmimi “Futbollistja më e Mirë e Vitit” i takoi Aurora Muliqit nga KFF Mitrovica, ndërsa “Shpresa e Vitit 2025” u shpall Anisa Mehanga KFF 2 Korriku U17.
Epiteti i Klubit më të Mirë në futbollin e vajzave i takoi KFF Mitrovica, kampione e Kosovës dhe përfaqësuese në garat evropiane.
Në futsall, dominimi ishte i FC Prishtina 01, që u shpall Klubi më i Mirë i Vitit, për sukseset në garat vendore dhe paraqitjen deri në 1/8 e finales të UEFA Futsal Champions League. Ndërkohë, Fitim Krasniqi anëtar i këtij klubi u shpall Lojtari i Vitit 2025 në futsall.
Çmimi për Referin më të Mirë të Vitit iu nda Alban Shalës.
Në këtë mbrëmje u nderuan edhe personalitete me kontribut të veçantë ndër vite. Çmimi për Kontribut të Çmuar Ndër Viteiu nda Rexhep Bahollit (FC 2 Korriku), Nexhmendin Haxhiut(FC Trepça) dhe Abedin Zekës(FC Trepça ’89).
Me mirënjohje u nderuan gjithashtu Gafurr Kabashi, Muharrem Muslija dhe Sabri Hashani për kontributin e tyre historik në futbollin kosovar.
Çmimi për Arritje Ndërkombëtare i takoi Florentina Kallabës, e cila ishte gjyqtare në finalen e Kupës së Botës në futsall që u mbajt në Filipine.
Me mirënjohje të veçantë u nderua edhe tifo-grupi “Dardanët”, për mbështetjen e palëkundur ndaj Kombëtares së Kosovës.
Po ashtu, FFK ndau mirënjohje për partnerët e saj institucionalë dhe komercialë: MKRS, Policia e Kosovës, Komuna e Prishtinës, Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari”, si dhe sponsorët dhe partnerët TEB, Albi Mall, Raiffeisen Bank, Siguria, BPB, Emerald, Mokne, Art Motion, Vatan, Link Plus dhe Erreà.
Ndërkaq, edhe këtë vit FFK ndau mirënjohje ‘post-mortem’ për personalitetet e futbollit që gjatë këtij viti u ndanë fizikisht nga ne.
Një moment emocional dhe i veçantë i mbrëmjes ishte paraqitja e korit të fëmijëve “Okarina”, të cilët interpretuan këngën “Unë jam shqipe nga Kosova”, duke ngjallur emocione të forta te të pranishmit.






