Analisti politik dhe profesori Blerim Latifi ka shkruar për zhvillimet e fundit të ndodhura në vend dhe premtimet e bëra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e mbajtur të premten në Qeveri, për pagën e 13-të dhe për rritje pensionesh e shtesash për fëmijë.
Latifi ka thënë se njerëzit në Kosovë s’e kanë nivelin e duhur për të kuptuar raportin në mes të mundësive reale dhe premtimeve politike. Profesori kosovar ka thënë se në Kosovë njerëzit s’arrijnë ta kuptojnë edhe ndjeshmërinë ndaj parimit të sundimit të ligjit.
Latifi thotë se Kurti e ka kuptuar këtë gjë dhe e “ka hapur thesin” për t’ua plotësuar dëshirat, derisa shton se opozita është e kurthuar meqë s’mund të dalë e të kundërshtojë “plotësimin e dëshirave të popullit”.
Postimi i plotë:
Publiku në Kosovë nuk është në nivelin e duhur për të kuptuar raportin midis mundësive reale dhe premtimeve politike. Kjo do të thotë se shumica e qytetarëve nuk arrijnë të vlerësojnë nëse premtimet politike përputhen me kapacitetet e vërteta që i ka shteti për t’i realizuar ato. Prandaj politikanët këtu janë komodë të premtojnë çfarë t’ua ka qejfi, madje edhe gjëra në kundërshtim me parimet e logjikës formale.
Gjithashtu, publiku në Kosovë nuk e ka të zhvilluar ndjeshmërinë e mjaftueshme ndaj parimit të sundimit të ligjit, i cili nënkupton se në një shtet demokratik asnjë veprim apo vendim politik nuk mund të merret e as të zbatohet në kundërshtim me procedurat e ligjet e shtetit. Publiku në Kosovë rrallëherë brengoset për këtë parim, sidomos kur bëhet fjalë për vendime që janë të këndshme për veshin e tij apo që i përshtaten bindjeve të tij politike.
Albin Kurti e ka kuptuar këtë fakt, prandaj edhe e ka “hapur thesin” për t’ua plotësuar dëshirat qytetarëve, edhe pse procedurat ligjore ia ndalojnë një veprim të tillë, duke pasur parasysh statusin kushtetues që ka e ashtuquajtura qeveri në detyrë.
Në anën tjetër, opozita gjendet e kurthuar nga kjo sjellje, sepse nëse ajo e kundërshton në emër të mosshkeljes së ligjit, publiku do të kthehet kundër saj me zemërim dhe braktisje. Madje, ajo do të akuzohet se është kundër përmbushjes së dëshirave të popullit.
Kjo gjendje shpie në një rreth vicioz politik, ku pushteti forcohet duke shkelur parimet ligjore në emër të “vullnetit të popullit”, ndërsa opozita dobësohet sa herë që përpiqet të mbrojë ligjin dhe rregullin institucional. Në një klimë të tillë politike, sundimi i ligjit rrezikon të kthehet në formalitet bosh, pa peshë reale në praktikën institucionale. Nëse kjo gjendje normalizohet, atëherë rezultati dihet: demokracia do të deformohet në themele të saj dhe pastaj kalimi në një regjim tjetër politik do të jetë vetëm çështje kohe.






