Profesori universitar, Blerim Latifi, ka komentuar situatën politike në Kosovë, të krijuar si pasojë e dështimeve të vazhdueshme për të deputetëve për të zgjedhur institucionet e reja, duke e cilësuar këtë ngërç si rezultat të mungesës së racionalitetit në klasën politike.
Latifi tha se vendi është futur në një spirale absurde, të cilës nuk po mund t’i jepet zgjidhje, përkundër ekzistencës së një kornize ligjore dhe kushtetuese që do të duhej të funksiononte.
Sipas tij, arsyeja e dështimit nuk qëndron tek vetë Kushtetuta, por tek supozimi i saj themelor mbi natyrën e njeriut si qenie e arsyeshme – një supozim që, sipas tij, nuk gjen konfirmim në realitetin aktual të politikës kosovare.
“Kemi ardhë në një situatë të tillë ku krejt instrumentet ligjore kushtetuese që i ka prodhu ky vend, nuk janë në gjendje me zgjidhë këtë marrëzi në të cilën ne jemi futë. Kushtetuta e Kosovës është e bazuar në Kushtetuta liberale perendimore. Këto kushtetuta kanë prapa tyre një koncept të njëriut si qenie racionale, e arsyeshme. Ato supozojnë që njeriu merr vendime të arsyeshme – që nuk është gomarë. Qenia e arsyeshme supozohet që është në gjendje me bë konsensus dhe kompromis me qenie të tjera të arsyeshme. Kështu që Kushtetuta jonë nuk ka kapacitet me i dhënë zgjidhje problemit që e kanë krijuar disa qenie të paarsyeshme.” – tha Latifi në “Pressing”.