Profesori Blerim Latifi tha se ai që fiton nuk flet ashtu siç foli kryeministri Albin Kurti, pasi partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet parlamentare.
Ai tha në Pressing në T7 se gjuha e kryetarit të LVV-së, i cili i quajti “hajvanë” opozitarët, buron nga mllefi se “nuk e ka arritë qëllimin”.
“A di çka më brengos? Dikush që fiton, i fiton zgjedhjet, nuk flet ashtu. Ai që triumfon e ka gjuhën ndryshe. Pse mllefi i Kurtit në fitoren e tij? Sepse ai nuk e ka arritë qëllimin për të cilin ai ka hyrë në këtë kampanjë zgjedhore. Qëllimi i tij ka qenë me e fitu një shumicë të mjaftueshme të votave e cila do t’i mjaftonte që ai vetëm me e kriju qeverinë. Dhe mllefi i tij i sontëm është që ai nuk ia ka arritë këtij qëllimi dhe është një mllef të cilin ai s’mundet me e përmbajtë në kuptimin e asaj që meqenëse nuk e ka arritë atë qëllim, ai duhet me fillu me mendu për një formulë të koalicionit me dikë nëse do me qeverisë, nëse do me qenë në pushtet”, tha Latifi.
Ai beson se të nesërmen, Kurti do të “këndellet” dhe do të kthehet të mendojë se me kë të provojë të bëjë koalicion për qeverinë e ardhshme.
“Unë mendoj që të nesërmen, pasi të qartësohen gjërat, pasi të këndellet dhe t’i kalojë emocionet e sontme, ai do të përpiqet me mendu se kujt me i trokitë në derë për me e bë një koalicion”, tha Latifi.
Opozita, ai tha se duhet të bashkohet nëse do që të mos e lënë Kurtin në pushtet.
“Nëse opozita përnjëmend mendon të mos e lë në pushtet Kurtin, duhet qysh nesër me fillu negociatat e brendshme në mënyrë që me u bashku, në mënyrë që Kurti mos me i përça, mos e marrë ndonjërin prej tyre, ose deputetë individualë që mundet me i peshku dhe me e kriju një shumicë prej 61 deputetëve dhe me e bë qeverinë”.