Deputetja Doarsa Kica nuk është më pjesë e Listës Guxo, dhe shpresa për t’u riparuar gjithçka dhe që ajo të mbetet në partinë e themeluar nga presidentja Vjosa Osmani, u shua pasi ajo ka vendosur t’i bashkohet LDK-së.
Me këtë rast, zyrtari i Listës Guxo, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka publikuar një fotografi me dy themelueset e kësaj partie, presidenten Vjosa Osmani dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Në këtë mënyrë, Peci konfirmoi largimin e deputetes Doarsa Kica nga ky subjekt politik, në drejtim të LDK-së.
Ministri e ka akuzuar deputeten e larguar për kontrabandim të vullnetit të qytetarëve.
“Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”, ka shkruar Peci.