-5.7 C
New York
Saturday, February 22, 2025

Buy now

Lansohet platforma “KosovaDiplo365”, nismë e përbashkët e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Fondacionit Ipko

- Advertisement -

Sot u lansua platforma “KosovaDiplo365”, nismë kjo rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe Fondacionit Ipko.

 

“KosovaDiplo365 është platforma digjitale që duke shërbyer si një urë lidhëse për qytetarët tanë të cilët jetojnë në Kosovë dhe në diasporë, e çon më tej këtë raport të vendit tonë me botën edhe në mënyrë digjitale”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij hyrëse në përurimin e projektit, i cili, siç tha ai, vendos rrëfimet mbi rrugëtimin e Kosovës dhe qytetarëve të saj në sferën globale digjitale.

 

Duke qenë se prioritet i qeverisjes mbetet krijimi i një mjedisi ku qytetarët tanë kanë mundësi të lidhen me botën, përmes sferave të ndryshme të jetës, “KosovaDiplo365” ofron pikërisht këtë mjedis duke kontribuuar në fuqizimin e diplomacisë qytetare dhe ofrimin e një mundësie për të gjithë për t’u angazhuar në kuadër të këtij rrugëtimi.

 

“Si Qeveri, ne besojmë fuqishëm në rolin që çdo qytetar mund ta ketë si një diplomat. Qytetarët tanë janë burimi më i çmueshëm i Republikës sonë, dhe luajnë një rol jetik në transmetimin e kulturës, identitetit, trashëgimisë, historisë dhe mbi të gjitha vlerave të Kosovës”, shtoi më tej kryeministri.

Shembujt si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, që sollën medaljet e arta olimpike; por edhe Donjeta Sadiku që preku piedestalin në arenat ndërkombëtare në sportin e boksit, sportistët si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Vedat Muriqi e shumë të tjerë; e matematikanët e rinj të cilët fituan medalje në garat prestigjioze botërore; mandej juristët tanë nga Universiteti i Prishtinës, që dallohen në mesin e juristëve nga universitetet me renome ndërkombëtare; gratë profesioniste nga bota e kinematografisë si: Blerta Basholli, Antoneta Kastrati, Norika Sefa dhe Luana Bajrami, që kanë lënë gjurmë përmes krijimtarive të tyre në botën e filmit; yjet me famë botërore dhe origjinë nga Kosova, si: Dua Lipa, Rita Ora dhe Ava Max, që flasin për gjuhën, kulturën dhe jetën e tyre në Kosovë duke promovuar traditat dhe mikpritjen tonë; artistët si Petrit Halilaj, Sislej Xhafa, Flaka Haliti dhe Fadil Berisha; pjesëtarë të komunitetit tonë të diasporës, të cilët përmes artit të tyre bënë që Kosova të njihet ndërkombëtarisht. E shumë, e shumë bashkatdhetarë të tjerë të shquar, për neve, për botën, të cilët çdo ditë e më tepër, na bëjnë krenar si pjesë e shoqërisë sonë”, tha kryeministri Kurti.

 

Në këtë lansim ai bëri thirrje që të bashkohemi në këtë platformë, ta shpërndajmë e ta zgjerojmë atë, me qëllim transmetimin e rrëfimeve tona personale e kolektive nëpër botë, të vlerave e të aureolës së dijeve.

 

Ndërkaq, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, tha se përmes kësaj platforme synojmë që ta forcojmë imazhin e Republikës së Kosovës, duke ndikuar pozitivisht te opinionbërësit jashtë vendit, por edhe pozitivisht te mysafirët potencialë të Kosovës në të ardhmen.

 

Të pranishëm për të përuruar këtë platformë ishin zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Ipko, Abetare Gojani, bashkë-ideator i platformës KosovaDiplo365, Kushtrim Xhakli, bursistë të Programit për Diplomaci Qytetare, qytetarë dhe diplomatë të tjerë.

 

 

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit