-10 C
New York
Monday, December 23, 2024

Buy now

Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve për çerdhe, pjesë e Projektit të Bankës Botërore “Edukimi dhe Kujdesi në Fëmijërinë e Hershme për Kapitalin Njerëzor të Kosovës”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe me Zëvendës Drejtoren e Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Jane Millicent Sprouster lansuan pilotimin e Programit të Kuponëve, pjesë e Projektit të Bankës Botërore “Edukimi dhe Kujdesi në Fëmijërinë e Hershme për Kapitalin Njerëzor të Kosovës”.

- Advertisement -

Ky program ka për qëllim rritjen e përfshirjes së më shumë fëmijëve të moshës nga 3 deri në 5 vjeç në shërbimet e edukimit në moshë të hershme, të cilët vijnë nga familjet e regjistruara në skemën e ndihmës sociale. Familjet përfituese të programit do të mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe të licencuara, ku programi do të mbulojë pagesën për çerdhe dhe transportin.

Programi financohet nga Partneriteti i Mësimit të Hershëm të Bankës Botërore në shumën prej 1.8 milionë euro (2 milionë dollarë), bazuar në Marrëveshjen e Grantit të nënshkruar nga Republika e Kosovës dhe Banka Botërore. Kërkesa zyrtare e Qeverisë për këtë projekt është bërë në dhjetorin e vitit 2022, nga atëherë ka filluar dizajnimi i tij, marrëveshja e finalizuar është nënshkruar më 28 qershor 2024, ndërkaq sot po e fillon pilotimi në praktikë i skemës së kuponëve.

Kryeministri Kurti u shpreh se rëndësia e Programit të Kuponëve qëndron në faktin se pjesëmarrja në edukimin e hershëm u ofron fëmijëve mundësi më të mëdha për zhvillimin kognitiv, social, emocional dhe fizik, si dhe përmirëson aftësitë e tyre për zgjidhjen e problemeve.

“Përfshirja më e madhe e fëmijëve në edukim krijon hapësira të shtuara për punësimin dhe zhvillimin profesional të prindërve, e posaçërisht të nënave, duke shërbyer si faktor rritje e qëndrueshmërie edhe ekonomike, krahas stabilitetit edhe social e psikologjik”, shtoi tutje ai.

Kryeministri gjithashtu theksoi se hulumtimet shkencore kanë treguar se edukimi i hershëm rezulton me individë të suksesshëm, sepse ndihmon në krijimin e një baze të fortë për sukses akademik dhe për mësim e avancim tërë jetësor.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se edukimi në moshë të hershme kultivon individë kureshtar dhe të zgjuar që mësojnë tërë jetën dhe sjellin kontribut të vlefshëm për vetën dhe shoqërinë. Kjo, sipas saj, është motoja që na ka shoqëruar dhe vazhdon të na shoqërojë përgjatë këtij rrugëtimi duke besuar fuqishëm që do të jetë tejet produktive për fëmijët dhe të ardhmen e vendit tonë.

Qeveria e Republikës së Kosovës radhit edukimin në fëmijërinë e hershme të parin nga pesë fushat prioritare në Strategjinë e Arsimit të Kosovës 2022-2026, derisa kjo dëshmohet me miratimin e Ligjit për Fëmijërinë e Hershme në Kuvendin e Republikës më 4 korrik të vitit 2023 si dhe me hartimin e kurrikulës së re për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe pilotimin e saj.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuar Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
E nderuar znj. Jane Millicent Sprouster, Zëvendës Drejtore e Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut,
I nderuar z. Tigran Shmis, Udhëheqës i Projektit nga Banka Botërore,
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Mirëmëngjesi dhe faleminderit që jeni këtu me neve sot, ku do të vazhdojmë me lajme të mira për kategorinë më të ndjeshme të shoqërisë sonë: fëmijët. Ndërkohë që dje, bashkë me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, ju njoftuam rreth mbështetjes shtesë e të vazhdueshme për fëmijë dhe pensionmarrës, sot kemi kënaqësinë që të bëjmë publik lansimin e pilotimit të programit të kuponëve – pjesë e Projektit të Bankës Botërore që quhet “Edukimi dhe Kujdesi në Fëmijërinë e Hershme për Kapitalin Njerëzor të Kosovës”.

Ky projekt i madh po fillon me pilotimin e programit të kuponëve, i cili synon të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për familjet që janë të regjistruara në skemën e ndihmës sociale. Konkretisht, ai krijon mundësi për përfshirjen e më shumë fëmijëve të moshës nga 3 deri në 5 vjeç nga këto familje në shërbimet e edukimit në moshë të hershme. Familjet përfituese të programit do të mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe të licencuara, ku programi do të mbulojë pagesën për çerdhe dhe transportin. Programi financohet nga Partneriteti i Mësimit të Hershëm të Bankës Botërore në shumën prej 1.8 milionë euro (përafërsisht 2 milionë dollarë), bazuar në Marrëveshjen e Grantit të nënshkruar nga Republika e Kosovës dhe Banka Botërore. Kërkesën zyrtare si Qeveri pranë Bankës Botërore për këtë projekt e kemi bërë që në dhjetorin e vitit 2022. Nga atëherë ka filluar dizajnimi i tij, ndërkaq marrëveshja e finalizuar është nënshkruar më 28 qershor 2024, e sot po e fillojmë pilotimin në praktikë të skemës së kuponëve.

Programi i kuponëve që po lansohet ka rëndësi sepse pjesëmarrja në edukimin e hershëm u ofron fëmijëve mundësi më të mëdha për zhvillimin kognitiv, social, emocional dhe fizik, si dhe përmirëson aftësitë e tyre për zgjidhjen e problemeve. Nga ana tjetër, përfshirja më e madhe e fëmijëve në edukim krijon hapësira të shtuara për punësimin dhe zhvillimin profesional të prindërve, e posaçërisht të nënave, duke shërbyer si faktor rritje e qëndrueshmërie edhe ekonomike, krahas stabilitetit edhe social e psikologjik.

Ky proces është drejtpërdrejt i lidhur me prioritetet tona strategjike dhe me politikat relevante të ndërmarra gjatë këtij mandati të qeverisjes sonë. Me miratimin e Ligjit për Fëmijërinë e Hershme në Kuvendin e Republikës më 4 korrik të vitit 2023, me hartimin e kurrikulës së re për edukimin në fëmijërinë e hershme dhe pilotimin e saj (në vazhdim teksa flasim) kemi treguar se veprat flasin më fort se fjalët.

Veprimet tona gjatë tërë mandatit aktual, por në veçanti në këto dy vitet e fundit, dëshmojnë se si Qeveri u qëndrojmë besnik premtimeve tona në mënyrë institucionale dhe me koordinim efikas ndërsektorial.

Hulumtimet shkencore kanë treguar se edukimi i hershëm rezulton me individë të suksesshëm, sepse ndihmon në krijimin e një baze të fortë për sukses akademik dhe për mësim e avancim tërë jetësor. Jo rastësisht edukimi në fëmijërinë e hershme është i pari nga pesë fushat prioritare në Strategjinë e Arsimit të Kosovës 2022-2026, po ashtu e miratuar gjatë këtij mandatit tonë qeverisës.

Ndërkohë që fëmijët janë vërtet kategoria më e ndjeshme e shoqërisë, ato janë njëkohësisht edhe themeli i së ardhmes sonë të përbashkët, janë brumi që do të formësojë e lartësojë Kosovën nesër. Ata janë kapitali njerëzor që do të ndërtojë një shoqëri intelektuale dhe të fortë, një shoqëri që më së miri di t’u bëjë ballë sfidave të jetës. Duke ushqyer kulturën e dijes dhe kreativitetit qysh në moshë të hershme, po kultivojmë individin e zgjuar, punëtor dhe inovativ që zhvillohet në një familje e shoqëri të shëndoshë.

Me besimin se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do ta realizojë me sukses këtë nismë, garantoj mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha format e nevojshme për mbarëvajtjen e programit të kuponëve.

Ju faleminderit shumë për pjesëmarrjen dhe për vëmendjen.
 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit