Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot morën pjesë në ceremoninë e lansimit të Parakualifikimit për Projektin e Ruajtjes së Energjisë përmes Baterive, të cilat do të vendosen në qytetet Ferizaj dhe Istog.
Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti deklaroi se përtej inovacionit që sjellin, projektet e baterive do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm, përfshirë stabilizimin e sistemit elektroenergjetik të vendit dhe uljen e kostos së importit të energjisë, rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji për amvisëritë dhe bizneset, si dhe hapjen e rrugës për integrim të mëtejshëm të energjisë nga burimet e ripërtëritshme si era, uji dhe dielli.
“125 MW të këtij sistemi do të operojnë nën Korporatën për Ruajtjen e Energjisë dhe 45 MW të tjera nën KOSTT-in që do të përdoret për balancim të rrjetit – të dyja këto ndërmarrje publike, të dyja në shërbim të vendit e të qytetarëve”, tha ai.
Tutje, veçoi rëndësinë e Instrumentit të Katalizatorit Amerikan për Zhvillim në kuadër të Programit Kompakt, i cili hap rrugën për financimin e projekteve që përqafojnë ekonominë e gjelbër dhe inovacionin. Programi Kompakt, i cili është financuar me 202 milionë dollarë nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe 34.7 milionë dollarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfaqëson një investim të madh në pavarësinë tonë energjetike dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.
“Ky është një moment i rëndësishëm për bizneset dhe sipërmarrësit tanë, një thirrje për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e ndërtimit të një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të fuqishme për Kosovën”, tha kryeministri Kurti.
Ai shprehu edhe falënderimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen dhe besimin e tyre në vizionin e Qeverisë për një sektor energjetik të qëndrueshëm dhe konkurrues.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se “Rruga jonë drejt tranzicionit energjetik të vendit është e qartë. Diversifikimi i burimeve të energjisë së pastër dhe rritja e kapaciteteve për ruajtje dhe furnizim të energjisë, së bashku me decentralizimin e rrjetit dhe kapaciteteve në menaxhimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në rrjet, do të mundësohen përmes programit Kompakt dhe sistemit të Baterive. Furnizimi i sigurt me energji, kostot më të përshtatshme së bashku me uljen e ndikimit në mjedis, janë edhe synim i strategjisë kombëtare për Energji dhe veprim i vazhdueshëm i politikave të qeverisjes sonë”.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë,
I nderuari z. Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës,
E nderuara Kryeshefe e MCA – Kosovës, znj. Florina Duli – Sefaj, dhe stafi i MCA,
I nderuari Drejtor i Programit të MCC, z. Rinor Gjonbalaj,
Të nderuar deputetë të Kuvendit, zëvendësministra të Qeverisë,
Të nderuar udhëheqës dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe partnerë ndërkombëtarë,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi të nisim vitin me një sukses të këtillë për sektorin tonë të energjisë, veçanërisht pasi viti që lëmë pas ka shënuar një sërë suksesesh – që nga përmirësimi i infrastrukturës energjetike, lansimi i skemave për efiçiencën e energjisë, dhe bashkëpunimet ndërkombëtare, deri te investimet në burime të ripërtëritshme, përmirësimi i furnizimit me energji dhe modernizimi teknologjik.
Për dekada të tëra, Kosova është përballur me vështirësi në sektorin e energjisë. Ne nuk kemi pasur vetëm nevojë për investime, por për një vizion i cili sjell ndryshime të qëndrueshme, pra rezultate që nuk mund të kthehen mbrapsht. E nëse për vite me radhë e kemi parë energjinë si një sfidë, tash atë e shohim si mundësi.
Prandaj i kemi vënë vetes synime ambicioze, objektiva serioze dhe kemi caktuar një vizion i cili sa është solid aq edhe largpamës. Për ta jetësuar atë, po ndërtojmë kapacitete të reja e të pastra që diversifikojnë miksin dhe e rrisin prodhimin vendor. Vitin e kaluar kemi përmbyllur me sukses ankandin tonë të parë diellor me kapacitet prej 100 megavatësh dhe në po të njëjtin vit kemi lansuar ankandin e parë për energji të erës, po ashtu për kapacitete prej 100 megavatësh.
Mirëpo ne e kemi të qartë që ndërtimi i kapaciteteve të reja nuk mjafton. Teksa shumë shtete të zhvilluara janë duke u përballur me vështirësi të fleksibilitetit të rrjetit për shkak të kapaciteteve të ripërtëritshme të cilat e tej ngarkojnë atë, ne po sigurohemi që të ndërtojmë infrastrukturën e duhur për t’i mbështetur kapacitetet tona të reja. Kjo na vë në hap me zhvillimet më të reja të sektorit në nivel botëror, e larg përpara rajonit tonë.
Sot jemi këtu për të shënuar një hap të nevojshëm dhe të duhur në zhvillimin e sektorit energjetik të Kosovës, përderisa po hapim zyrtarisht procesin e para-kualifikimit për ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë me bateri, e të cilat do t’i vendosim në Ferizaj dhe në Istog.
125 MW të këtij sistemi do të operojnë nën Korporatën për Ruajtjen e Energjisë dhe 45 MW të tjera nën KOSTT-in që do të përdoret për balancim të rrjetit – të dyja këto ndërmarrje publike, të dyja në shërbim të vendit e të qytetarëve.
Përtej inovacionit që sjellin, projektet e baterive do të kenë ndikim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë. Së pari, do të stabilizojnë sistemin elektroenergjetik të vendit dhe do ta ulin koston e importit të energjisë. Së dyti, do të rrisin sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji si për amvisëritë ashtu edhe për bizneset tona. Dhe së treti, do të hapin rrugën për integrimin e mëtejshëm të energjisë nga burimet e ripërtëritshme si era, uji dhe dielli.
Meqenëse sot jemi bashkë me përfaqësues të shumtë të sektorit privat, dua të theksoj rëndësinë e një komponenti kyç të Programit Kompakt – Instrumenti i Katalizatorit Amerikan për Zhvillim. E përmes Fondit Amerikan për Zhvillim (DFC), ky instrument hap rrugën për financimin e projekteve që përqafojnë ekonominë e gjelbër dhe inovacionin. Ky është një moment i rëndësishëm për bizneset dhe sipërmarrësit tanë, një thirrje për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e ndërtimit të një të ardhme të fuqishme, të qëndrueshme e të ndritshme të vendit tonë.
Programi Kompakt, i financuar me 202 milionë dollarë nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe 34.7 milionë dollarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfaqëson një investim të madh në pavarësinë tonë energjetike dhe qëndrueshmërinë afatgjatë. Ky nuk është thjesht një projekt teknik, është një transformim që synon t’i japë Kosovës siguri më të madhe energjetike dhe ekonomi më konkurruese.
Dua të shpreh falënderimin tim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për mbështetjen e tyre dhe për besimin e tyre në vizionin tonë për një sektor energjetik të qëndrueshëm dhe konkurrues.
Një falenderim i veçantë për ekipin e MCA-Kosovës, të cilëve u uroj sukses në zbatimin e këtyre projekteve jetike për të ardhmen e Kosovës. Për këtë e keni dhe do ta keni përkrahjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.