Lamine Yamal ka shpjeguar diferencën kryesore mes Hansi Flickut dhe Xavit pasi shkëlqeu edhe një herë tjetër për Barcelonën në duelin ndaj Gironës.
Barcelona tashmë ka marrë pesë fitore radhazi në La Liga, teksa të dielën e ‘shkatërroi’ me rezultat 4-1 Gironën, falë dy golave nga Lamine Yamal dhe nga një gol prej Dani Olmo dhe Pedri.
Yamal, i cili pati disa paraqitje shumë të mira me Spanjën në Euro 2024, po vazhdon shkëlqimin me gjigantin blaugranas teksa deri më tani ka tre gola dhe katër asistime në sezonin e ri.
Duke qenë se momentalisht është njeriu kryesor i Barcelonës, 17-vjeçari ka folur për diferencën kryesore mes Xavit dhe Hansi Flickut, duke shpjeguar se si taktikat e gjermanit e kanë transformuar ekipin.
Yamal pati paraqitje të mira edhe nën urdhrat e Xavit aty ku zhvilloi plotë 50 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar shtatë gola e duke dhuruar nëntë asistime.
“Të rikthehesh nga kombëtarja është gjithmonë e vështirë, por sot ne ishim shumë të mirë, tashmë jemi duke menduar për ndeshjen e radhës”.
“Çelësi ka qenë që të jemi më direkt, kur ne rikuperojmë topin, mendojmë vetëm se si të shënojmë”, ka thënë Yamal.
Të besuarit e Flick kanë shënuar 17 gola në pesë ndeshjet e para në ligë, e ky është starti më i mirë i Barcelonës që prej sezonit 2017/2018 kur Lionel Messi me shokë kishin shënuar numrin e njëjtë të golave.
Para epokës së Messit, klubi e kishte arritur këtë rekord gjatë sezonit 1959/1960.