Lamine Yamal duket se është në rrugë për të trashëguar fanellën ikonike me numrin 10 te Barcelona, pas largimit të Ansu Fatit. Talenti i ri i “Blaugranave” pritet ta mbajë këtë numër që nga sezoni 2025/26, duke ndjekur gjurmët e legjendave si Lionel Messi dhe Diego Maradona.
Ky hap historik për Yamalin u paralajmërua në mënyrë simbolike edhe nga vetë Messi. Në reklamën më të fundit të Adidas, ylli argjentinas i dërgon një letër me porosi të veçantë për Yamalin – një gjest i interpretuar gjerësisht si bekim për ta trashëguar fanellën më të rëndë të klubit.
Reagimi i Yamalit nuk vonoi. Ai postoi në Instagram një fotografi të tij si foshnjë, i mbajtur nga vetë Messi – një moment nga fotosesioni i famshëm i vitit 2007, kur Leo ndërveproi me gjeneratën e ardhshme të futbollistëve.
Postimi i veçantë i Yamalit është parë si një gjest mirënjohjeje për idhullin e tij, duke sinjalizuar se është i gatshëm të marrë mbi supe përgjegjësinë e madhe që sjell fanella me numrin 10 te Barça.
Yamal, vetëm 17 vjeç, ka fituar zemrat e tifozëve me paraqitjet e tij në fushë dhe me qasjen modeste jashtë saj. Tani, ai është pranë një kapitulli të ri – atë të udhëheqësit të ardhshëm të Barcelonës.