Gazetari i njohur nga Shqipëria, Blendi Fevziu të hënë ka thënë se “ka njerëz të rëndësishëm të politikës së Kosovës, të cilët u thonë ndërkombëtarëve që po u kthyen Thaçi dhe të tjerët nga Haga, Kosova nuk ka qetësi”.
E pas kësaj deklarate ka reaguar ish-gjenerali i ushtrisë shqiptare, Kudusi Lama.
Ai ka thënë se kjo është gjëja më e shëmtuar në arënën politike shqiptare.
“Në të gjitha strukturat e politikës nuk mund ta kuptoj që të ndodhin gjëra të kësaj natyre. E për të ardhur atje ku ju thoni në kohën e luftës, mos harroni që UÇK ka qenë një ushtri që nuk ka pasur as makina me lëviz nëpër bulevardet e qyteteve, nuk ka pasur as aeroplana me vëzhgu terrenin, nuk ka pasur as pushkë e mitraloza të cilat i ka transportuar me kuaj nëpër male dhe një ushtri e tillë a mund të pretendojë që të rreshtohet, komandohet dhe strukturohet edhe të ketë një diciplinë absolute”, deklaroi Lama në Këndin e Debatit në Tëvë 1.
“Por megjithatë unë nuk shkoj te këta djemtë që janë atje, por marr në mbrojtje edhe ushtarin e fundit të UÇK-së që s’ka të bëjë fare me kriminalitetin, me cenimin e të drejtave të njeriut në luftë”, shtoi ai. /Teve1.info/