Kryetari i LDK-së, dhe ish-kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas numërimit të gati të gjitha votave të diasporës të zgjedhjeve të 9 shkurtit, shkruan Periskopi.

Abdixhiku shkroi se merr përgjegjësinë për rezultatin e LDK-së në zgjedhje, duke shtuar se nuk kanë arritur rezultatin e menduar.

Ai shtoi se do ta mbajnë kokën lartë, pasi në legjislaturën e ardhshme do t’i kenë 7 deputetë më shumë se në atë të kaluarën.

”Rënia, ajo katastrofalja, është e shpejtë! Shpeshherë dhe fatale. Ringritja, ajo e vështira, është e ngadaltë. Kërkon punë dhe punë shumë!”, ka shkruar Abdixhiku.

Postimi plotë:

Ju faleminderit mërgatë! 💙💜

Tani që numërimi i votave nga mërgata po i afrohet fundit, e kemi të qartë dhe fotografinë finale të zgjedhjeve tona.

Jo, nuk arritëm rezultatin e menduar.

Jo, nuk ndryshuam renditjen që dukej se na ishte parapërcaktuar. Për këtë kam marrë përgjegjësinë mbi supe unë!

Por, po, jemi rritur!

Dhe atë për plot 70 mijë vota! Si kurrë më parë!

Për plot 7 deputetë më shumë!

Prandaj kokën lartë.

Rënia, ajo katastrofalja, është e shpejtë! Shpeshherë dhe fatale. Ringritja, ajo e vështira, është e ngadaltë. Kërkon punë dhe punë shumë!

Punë e shpresë dhamë. Po bëhemi, sërish, adresë e 180 mijë qytetarëve tanë. Ecëm drejtë, ecëm mbarë. Mangu asgjë. Do të sillemi me plot dinjitet në gjithë rrugëtimin tonë përpara. LDK, si partia me rritjen më të madhe në këto zgjedhje, ka kthyer tashmë votuesin e vet. Koha të shkojmë përtej kësaj. Do të shkojmë!

Dritë do të ketë!

Faleminderit gjithë atyre që na besuat. Në veçanti, faleminderit mërgatës sonë që na dhatë kaq mbështetje. Asgjë befasuese.

Së shpejti, pas certifikimit të rezultateve, do të nisi TURNEUN E FALËNDERIMIT. Sepse ju kam premtuar! Ju kam dhënë fjalën se nuk do të shihemi vetëm në zgjedhje. Do të takoj gjithë ata që u rreshtuan në thirrjen time për ndryshim. Këtë herë nuk ishim mjaft. Por u bëmë më shumë. Do të bëhemi dhe më shumë! ✌️

 

Shpërndaje